AlbanianSport.com 09/06/2018 11:10
ASNN – Federata Evropiane e Basketbollit, në asamblenë e saj të datës 26 maj, që është zhvilluar në Nikozia të Qipros, ka dalë hapur kundër Euroligës, e cila i ka programuar ndeshjet e saj në të njëjtën ditë me ndeshjet eliminatore të zonës së Evropës për Kupën e Botës “Kinë 2019”. Ja se çfarë thuhet në deklaratën e Federatës Evropiane të Basketbollit: “Nënvizojmë rëndësinë e ekipeve kombëtare si mënyra më e mirë për të bashkuar tifozët, ndërsa rrisin popullaritetin e basketbollit në dimensione të reja dhe ndihmojnë në rritjen dhe nxitjen e talenteve të reja. Duhet theksuar roli i padiskutueshëm i kampionateve kombëtare si pjesë e piramidës sportive evropiane. Theksojmë nevojën për bashkëjetesë harmonike të klubeve dhe ekipeve kombëtare, mbështetur në kalendarin mbarëbotëror të vendosur nga FIBA, si autoriteti që drejton basketbollin. Dënojmë vendimin e Euroligës (ECA), që planifikon ndeshje në të njëjtat ditë si në kalendarin e FIBA “KUPA E BOTËS” duke vendosur lojtarët në situata jo etike. Anulojmë veprimet e klubeve të Euroligës, e cila ka dështuar të përmbushë detyrimet e saj duke mos lënë të lirë lojtarët, që të jenë pjesë e ekipeve kombëtare duke ndikuar kështu edhe në rezultatet përfundimtare të tyre. Theksojmë vlerën e promovimit të rregullave në garën mes klubeve, si një mundësi e secilit për të arritur paraqitjen maksimale në ligën lokale, kundërshtuar nga sistemi i Euroligës. Vërtetojmë kriteret e aksesit në rezultatet sportive dhe procedurat transparente të adaptuara në Ligën e Kampioneve. Të zhvlerësojmë si të papranueshëm propozimin e ECA-s më 1 mars 2018. Konfirmojmë gatishmërinë për të përdorur të gjitha mjetet për të mbrojtur ekipet kombëtare, kampionatet kombëtare dhe integritetin e garave të tyre përkatëse. Mirëpresim deklaratat e ministrave të Sportit në këshillin e krijuar së fundmi të Edukimit, Rinisë, Kulturës dhe Sportit, si dhe nxisim qeveritë evropiane dhe instancat përgjegjëse të Komitetit Evropian që të mbajnë në kontroll ECA-në për veprimet e saj kundër ekipeve kombëtare, si dhe modelin evropian të sportit”, – përfundon deklarata e FIBA Europës.