Gjergj Vyshka 24.01.2015 09:55
Nëse Flamurtari dje ka qenë fituese e Superkupës së Shqipërisë në basketboll për femra, dhe kjo për të 11-tën herë, ka pasur një emër, Elektra Zykaj. Lojtarja e ardhur nga Tirana, pa harruar lojën e mirë të Plasës, apo dhe Qypit e Kostallarit, është bërë vendimtare me 3-pikëshat e saj. Flamurtari e ka nisur mirë ndeshjen, teksa ka fituar dy pjesët e parë dhe me një epërsi prej 8 pikësh diferencë ka shkuar në dhomat e zhveshjes me fitoren, 40-32.
Por fillimi i pjesës së tretë është për t’u harruar për kampionet në fuqi. Mehmeti dhe Semanjaku, apo dhe Demiraj përmbysin gjithçka për fierakët me trepikëshat e tyre. Me një epërsi të pjesshme 2-18, Apolonia është në epërsi 42-50. Por Flamurtari nuk dorëzohet dhe ka arritur që në fund të pjesës së tretë, pavarësisht se fieraket kanë fituar 15-20, të jetë përsëri në epërsi 55-52. Sikundër ishte parashikuar, e katërta është një luftë nervash.
Xhanaj është e fuqishme në depërtimet e saj, por në krahun tjetër dhe vlonjatet nuk dorëzohen. Aq sa fundi i ndeshjes i ka ndarë në barazim 74-74. Kostallari me një krah dhe Aliaj në krahun tjetër e kanë lënë ndeshjen më shpejt se të tjerat, sepse kanë plotësuar numrin 5 të gabimeve personale. Në kohën shtesë, edhe me petkun e kampionit, Flamurtari nuk fal më. Dhe në fund fiton 87-83 duke bërë të veten Superkupën e Shqipërisë.
Flamurtari – Apolonia 87-83
(17-13, 23-19, 15-20, 19-22 / 13-9)
Flamurtari: K. Hasanaj (3), Kostallari (12), Plasa (29), Qypi (14), Zykaj (27) / Myrto, Palko (2). Trajner: V. Toska
Apolonia: Aliaj (8), Dishnica (7), Mehmeti (11), Semanjaku (19), Xhanaj (22) / Demiraj (8), Memçaj, Ustalli, Perqyku (8). Trajner: A. Greva
Gjyqtarë: E. Koçi, G. Hoxha, E. Allaraj (Tiranë)