Gjergj Vyshka 25.02.2016 10:25
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në basketboll për femra, Erdal Borova, ka pranuar se kjo ka qenë ndeshja më e mirë e këtij ekipi në Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2017. “E rëndësishme, – ka thënë Borova pas ndeshjes, – është se nuk u shkërmoqëm. Nëse më parë kemi pësuar 121 pikë nga Italia, 99 nga Mali i Zi, apo dhe 122 nga Britani e Madhe, tashmë kemi treguar se kemi një farë përmirësimi në mbrojtje.”
“Mos harroni që kemi luajtur tre ndeshje në transfertë me tre skuadra shumë të forta, të cilat nuk janë në nivelin e Estonisë, Luksemburgut, apo dhe kundërshtarëve të tillë, që dikur i kemi pasur përballë, – ka vijuar ai. – Sigurisht që ka gjëra për t’u përmirësuar. Por unë mendoj se, edhe duke luajtur përballë publikut tonë, kemi pasur më shumë entuziasëm”.
Borova pranon që ky është niveli i kampionatit, ndërsa kombëtarja është përzgjedhja më e mirë e lojtarëve. “Nivelin ne e dimë se kush është. Por jemi munduar që të marrim më të mirat. Dhe besoj se ia kemi arritur. Është periudhë e gjatë deri në nëntor. Por mendoj se do të ulemi me Federatën për të diskutuar që të kemi grumbullime më të shpeshta që t’i mbajmë në tonus këto lojtare”, – ka përfunduar trajneri i Shqipërisë në basketboll për femra, Erdal Borova.