Gjergj Vyshka 24.11.2016 16:15
Trajneri i Shqipërisë në basketboll për femra, Xhelal Kalaja, ka qenë i kënaqur me paraqitjen e vajzave ndaj Britanisë duke llogaritur të gjitha mungesat që kjo përfaqësuese kishte.
“Nuk kam se çfarë të kërkoj më shumë, – ka thënë pas ndeshjes trajneri kuqezi. – Numrit 8 të Britanisë iu hap koshi në mënyrë të llahtarshme dhe nuk kishim mundësi ta ndalonim.”
“Megjithatë mos harroni që kishim mungesa dhe unë mendoj se të gjitha vajzat duhen falënderuar për çfarë bënë në këto dy ndeshje, – ka vijuar ai. – Shpresoj që në vazhdim puna të jetë më e gjatë me to dhe të krijojmë një skuadër të mirë.”
“Një skuadër, e cila të dijë të përballet denjësisht me kundërshtarin, sepse mundësitë i kemi”, – ka thënë Kalaja, që në dhomat e zhveshjes i ka falënderuar lojtaret e kombëtares së Shqipërisë në basketboll për femra.