AlbanianSport.com 03.02.2017 21:15
ASNN – Kampionati kombëtar i basketbollit për femra rinis sot fazën e dytë, ndërsa kampionia në fuqi, Flamurtari, e cila e mbylli 2016-ën me luhatje, duke zënë vendin e tretë, zbret nesër për parket për ndeshjen e orës 11:00 në shtëpi ndaj Elbasanit.
Në një intervistë për të përditshmen sportive shqiptare, “Panorama Sport”, trajneri Viron Toska, ndërsa bën “mea culpa” për paraqitjen e ekipit, thekson se, me një punë më intensive, mbrojtja e titullit është e mundshme.
AlbanianSport.com po ju sjell këtu një pjesë të kësaj interviste.
– Faza e dytë e gjen Flamurtarin në pozita jo siç do ta kishit parashikuar, të 3-tin në renditje?
– Unë e kam thënë edhe në fillim të kampionatit që lufta për titullin “kampion” do të jetë mes tri skuadrave: Flamurtarit, Tiranës dhe Goga Basket. Këto nuk janë objektivat e Flamurtarit, por që na kanë penalizuar gjëra të ndryshme. Sidoqoftë, unë nuk dua ta shpërndaj fajin te të tjerët, por e lë te vetja dhe skuadra. Besoj se ky nuk është niveli i skuadrës sonë, ky pozicion. Kuptohet që në vazhdim nuk diskutohet që ne synojmë sërish titullin kampion.
– Cila ka qenë përgjigjja e kampioneve në merkato ndaj Goga Basket?
– Unë, nëse do ta ndieja veten me të fuqishëm sesa Flamurtari nuk kam përse të marr përforcime. Pra e ndjeu që edhe atë ndeshje e fitoi padrejtësisht, prandaj mori edhe përforcime. Nuk diskutohet që një qendër do të vijë patjetër te ne.
– Si është forma e ekipit në prag të rifillimit të kampionatit?
– Skuadra është stërvitur intensivisht. Madje, disa prej lojtareve stërviten dy herë në ditë, vajzat që janë në Vlorë. Kuptohet që objektivi final është titulli. Flamurtari e ka piketuar një qendër serbe dhe është në bisedime me dy motrat Daboviç. Për kujtesë, Ana Daboviç ka qenë pjesë e Flamurtarit përpara shumë viteve. Trofeun e parë që ka fituar në karrierë e ka marrë me Flamurtarin, një Kupë Republike. Është një nga lojtaret më të mira të Evropës, basketbolliste e përfaqësueses serbe.
– Çfarë pritet të bëjë ndryshe Flamurtari në vazhdim?
– Normalisht Flamurtari do të punojë më shumë se çfarë ka dhënë deri sot. Rivaliteti është rritur. Mund ta fitojë titullin “kampion” si Flamurtari, ashtu edhe Goga Basket apo Tirana. Të tria janë skuadra favorite. Por ne do të stërvitemi më shumë dhe do të bëjmë më të mirën tonë dhe do të japim maksimumin.