AlbanianSport.com 10.04.2015 14:35
ASNN – Sikundër ka ndodhur në këto 3-4 sezonet e fundit, rivaliteti i gjysmëfinaleve të “play off”-it të Kampionatit Kombëtar në Basketboll për Femra, sidomos midis Flamurtarit dhe Tiranës, nuk shfaqet vetëm në fushën e lojës, por është zhvendosur edhe mes stafeve teknike. Pas akuzave të një dite më parë të trajnerit të Tiranës, Erdal Borova, ndaj gjyqtarëve në ndeshjen e luajtur “Farie Hoti”, homologu i tij vlonjat, Viron Toska, e cilësoi si justifikim të gabuar. “Justifikimi i trajnerit të Tiranës është kryekëput i gabuar, pasi fajin duhet ta kërkojë te vetja dhe jo te gjyqtarët”, – ka thënë ai, i cituar nga përditshmja sportive shqiptare “Panorama Sport”.
“Është e vërtetë që skuadra e tij ishte në epërsi, por nuk arriti ta ruante atë, – ka vijuar Toska. – Nuk i ka faj askush që s’arriti ta kontrollonte lojën me qarkullime të dendura të topit në mesfushë dhe vonesa të lojës. Kjo ishte dhe ajo taktika që u shpreh pas ndeshjes së parë në Vlorë, por që në fakt nuk e zbatoi në ndeshjen e dytë në Tiranë kur kishte një epërsi të admirueshme pikësh. I kujtoj kolegut se dy nga gjyqtarët e ndeshjes së dytë në “Fahrie Hoti” ishin edhe gjyqtarë në ndeshjen e Vlorës. Për t’iu bindur më tej do iu pyes: përse nuk u flisnit gjyqtarëve si në fitoren e Vlorës, edhe në tre pjesët e para në ndeshjen e Tiranës?”
“Kur Flamurtari përmbysi rezultatin në favor të tij, ju të irrituar ofenduat gjyqtarët dhe kësisoj loja iu doli jashtë kontrollit, – ka vijuar trajneri i vlonjateve të koshit. – Megjithëse në këtë moment na u dëmtua një nga lojtaret kryesore siç është Elektra Zykaj, ne nuk u frenuam, por përkundrazi ruajtëm qetësinë dhe e kontrolluam lojën. Ndërsa gjaknxehtësia dhe irritimi juaj ju nxori nga loja. Flamurtari në të gjitha ndeshjet luan me 4 pjesë loje, deri në momentin kur gjyqtari mbyll takimin. I njëjti fenomen ndodhi para 2 sezonesh, kur kemi qenë në disavantazh të 19 pikëve, ne përmbysëm rezultatin dhe fituam.”
“Meqë Borova i bën thirrje skuadrës së tij për “hakmarrje” në ndeshjen e 3-të të “play- off”-it, Flamurtari po e pret me padurim sfidën ndaj tyre”, – ka përfunduar trajneri i Flamurtarit. Viron Toska. Gjysmëfinalja e tretë dhe e fundit do të luhet të shtunën, në Vlorë, në orën 11:00.