AlbanianSport.com 26.11.2016 15:00
ASNN – Në prag të gjysmëfinaleve dhe finales të Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, trajneri i fitueses në fuqi, Flamurtarit, Viron Toska, ka bërë një analizë së ecurisë së deritanishme të Kampionatit Kombëtar, por edhe për shanset e skuadrës së tij në veprimtarinë e dytë të koshit shqiptar të vajzave.
– Le të flasim për dy afrimet e fundit të Flamurtarit…
– Skuadra tashmë është përforcuar me dy lojtare të huaja, Çorto dhe Marjanoviç. Çorton e njohim, sepse e kemi pasur dhe dy sezone më parë tek Flamurtari. E bëhet fjalë për dy përforcime cilësore, që do ta rrisin nivelin e lojës së skuadrës. E në vijim objektivi është një i vetëm, fitorja e trofeve kombëtare.
– Lëvizje që i bashkohen dhe afrimeve të skuadrave të tjera finaliste…
– Ne gjithmonë shohim vetëm skuadrën tonë. Natyrisht që shohim vetëm se çfarë do të përmirësojmë tek Flamurtari për të qenë sa më konkurrues në vazhdimin e garës. Ne e kemi treguar gjithnjë që luajmë vetëm për trofe, ashtu sikurse kemi bërë deri më tani në çdo veprimtari kombëtare ku dhe kemi marrë pjesë.
– Jemi në prag të finaleve të Kupës së Shqipërisë…
– E vërtetë! Këto finale do të zhvillohen në Durrës. Ne në gjysmëfinale do të jemi përballë Studentit, ndërsa objektivi është kalimi në finale. Kurse gjysmëfinalja tjetër do të jetë Goga Basket-Tirana, atje ku presim të njohim kundërshtarin tonë për finalen e Kupës së Shqipërisë. E theksova dhe më sipër, qëllim ynë kryesor është fitorja e Kupës së Shqipërisë. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë.
– Në këtë Kupë të Shqipërisë nuk mungon rivaliteti…
– Sigurisht që po, sepse të gjithë kërkojnë t’i rrëmbejnë Kupën, Flamurtarit. E pavarësisht rivalitetit ne jemi të bindur maksimalisht në cilësitë që kemi si skuadër, ndërsa do të përpiqemi ta shoqërojmë me fitoren e Kupës së Shqipërisë. Një tjetër trofe që kërkojmë t’ia shtojmë klubit tonë, ndërsa më pas do të mendojmë vetëm për titullin “kampion”.