Gjergj Vyshka 04.10.2016 13:25
Viron Toska, trajneri i Flamurtari në basketboll për femra, ka debatuar me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Basketbollit. Arsyeja ka qenë heqja e fazës së tretë që do të thotë sipas tij shkurtim të numrit të ndeshjeve. Sipas tij janë vetëm 16 ndeshje kur në fakt ishin 21. “Bëjeni më mirë me një fazë e të mbarojnë punë, – ka ironizuar labi. – Ç’është kjo?!”
“Ju jeni për rritje të numrit të ndeshjeve, apo për shkurtim të tyre?!” – ka shtuar Toska, i cili ka marrë menjëherë përgjigjen nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani. Sipas tij, së pari, kombëtarja e femrave, e cila më 19 dhe 23 nëntor 2016 do të presë në “Asllan Rusi” Malin e Zi dhe Britaninë e Madhe, por dhe fushata elektorale e bëjnë të detyrueshme dhe një farë shkurtimi.
“Jemi të ndërgjegjshëm, – thotë Llazani, – që duhet ta përfundojmë shpejt kampionati, sepse do të vijë momenti që Pallatet e Sportit do të jenë të zëna nga fushatat. Pra do të detyrohemi të fusim dhe ndeshje në mesjavë si sanduiç për të plotësuar javën. Ndaj jemi të detyruar të bëjmë dhe këto lëvizje”. E ndërkohë basketbolli shqiptar, ashtu sikurse volejbolli, do të jetë i pranishëm në ekranin e Televizionit Shqiptar mbi bazën e marrëveshjes që ka nënshkruar ky institucion me Federatën Shqiptare të Basketbollit.