AlbanianSport.com 12.02.2016 09:35
ASNN – Trajneri: “Për kampionati ka kohë për të menduar, ndonëse të tjerat kanë nisur të përforcohen për të na rrëzuar nga froni. Por, në fund, ne do të jemi përsëri ata që do të fitojmë.”
Kupa e Shqipërisë çel siparin e aktiviteteve zyrtare në basketboll për femra, takime që tashmë do të luhen në “Asllan Rusi” në kryeqytet ndonëse më parë ishte caktuar “Ramazan Njala” i Durrësit si pritësi i ndeshjeve finale të kësaj veprimtarie.
Flamurtari, skuadra kampione në fuqi, synon një tjetër trofe. Edhe pse vendi i finaleve të basketbollit për femra është ndërruar disa herë kjo gjë nuk duket se ka rëndësi për Flamurtarin.
Kjo sepse trajneri i vlonjateve, Viron Toska, ka shpallur dhe objektivin e skuadrës për Sport Ekspres. Ja dhe intervista e tij për të përditshmen sportive shqiptare “Sport Ekspres”, që AlbanianSport.com jua sjell këtu.
– Toska, për dy ditë me radhë luhen finalet e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra…
– Do të luajmë fillimisht në gjysmëfinale ndaj Kamza Basket e më pas, edhe duke qenë se mendojmë të jemi finalist, do të jemi përballë fitueses së çiftit Tirana-Skënderbeu. Ne synojmë padyshim që fillimisht të kalojmë Kamzën, pastaj të mendojmë për finalen. Jemi përgatitur gjatë kësaj kohe dhe jemi mjaft optimistë.
– Ndeshjet finale do të luhen përfundimisht në Tiranë…
– E dimë këtë fakt, edhe pse më parë u konfirmua në “Ramazan Njala” të Durrësit, ndërsa tashmë u ndryshua sërish. Asnjë problem për Flamurtarin, sepse ne luajmë njësoj kudo që të na caktojnë në çdo pallat sporti. Ne jemi të gatshëm t’i sfidojmë pa asnjë problem ekipet kundërshtare. Edhe në Tiranë do të luajmë me të njëjtin qëllim siç edhe kemi bërë deri më tani.
– Objektivi i Flamurtarit?
– Padyshim trofeu i Kupës së Shqipërisë. Flamurtari në çdo veprimtari nuk ka asnjë objektiv tjetër veç fitimit të tij. Nëse në kampionat jemi vetëm me fitore, ne kërkojmë që kështu të vazhdojmë edhe në Kupë. Dhe jam i bindur se në fund do të jemi ne skuadra fituese, pasi kemi një ekip me eksperiencë dhe mjaft të mirë.
– Por, veç Kupës, është edhe kampionati…
– Kur t’i vijë koha mendojmë për kampionatin, edhe pse po shohim se ka skuadra që po kërkojnë të bëjnë ndryshime për të rrëzuar Flamurtarin. Ky është qëllimi i tyre i vetëm. Por në fund do të triumfojmë sërish, por për kampionatin ka ende kohë.