AlbanianSport.com 21/01/2019 19:00
ASNN – Trajneri i Flamurtarit në basketboll për femra, Viron Toska, vijon të këmbëngulë që në garën për titullin “kampion” këtë edicion do të jetë Flamurtari i tij dhe SHKBF Tirana që drejtohet nga trajneri Erdal Borova. Për trajnerin e njohur të basketbollit vlonjat, Flamurtari e ka ende potencën e mjaftueshme për të siguruar titullin. Në një intervistë për mediat sportive shqiptare të ditës, trajneri i skuadrës vlonjate komentoi rivalitetin, si dhe merkaton e dimrit në basketbollin e femrave.
“Aktualisht po stërvitemi dy herë në ditë dhe gjendja e skuadrës është shumë e mirë, – tha fillimisht Toska, – në radhët e grupit na janë kthyer lojtaret e dëmtuara, Plasa dhe Daboviç, të cilat i lanë prapa problemet fizike. Për pasojë, mund të them se skuadra ndodhet në gjendje optimale dhe jemi në pritje të ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë. Objektivat e Flamurtarit nuk kanë ndryshuar aspak nga fillimi i sezonit, ku do të luftojmë për çdo trofe të mundshëm.”
“Si kundërshtarin tonë të mundshëm shikojmë SHKBF Tiranën e trajnerit Erdal Borova dhe që është ekip në krye të renditjes, – vijoi trajneri i koshit vlonjat të vajzave. – Sa u takon skuadrave të tjera, mendoj që nuk përbëjnë problem për ne. Pra, mendoj se gjithçka do të vendoset midis nesh dhe SHKBF Tiranës, gjithmonë nëse ekipet e tjera nuk bëjnë ndonjë surprizë në merkato. Nëse rivalet fuqizohen, normalisht që merkato do të zhvillojmë edhe ne.”
“Por, mendoj se me gjendjen aktuale dhe kontingjentin që kemi, Flamurtari është skuadra më e mirë e kampionatit dhe jemi në formë për ta fituar këtë kampionat”, – përfundoi trajneri i Flamurtarit në basketboll për femra, Viron Toska. Sidoqoftë, pavarësisht deklaratave të Toskës duket se, si Flamurtari, ashtu dhe SHKBF Tirana, do të kenë rivalitetin e skuadrës tjetër bardheblu, SHBF Tiranës, që drejtohet nga trajnerja Mirza Alibegaj.