Gjergj Vyshka 10.12.2015 17:30
Tirana e ka zgjidhur ndeshjen e turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë ndaj Vllaznisë vetëm në gati pesë minutat e fundit të takimit. Trepikëshat e Eliverta Bujarit, por dhe të Rezarta Hoxhajt, e cila ishte edhe pikëshënuesja më e mirë e Tiranës, i kanë dhënë qetësinë skuadrës së Erdal Borovës. Në një kohë që deri në ato momente, teksa Vllaznia është afruar deri në dy pikë diferencë, Tirana e ka pasur pisk. E ka nisur mirë ndeshjen në një sallë të boshatisur, aq sa dhe shefit të klubit të shumësportëshit bardheblu, Pirro Koleka, që krahasimin e bën me atë që ka parë të shtunën e kaluar në Shkodër, habitet me këtë indiferencë.
Sepse me përjashtim të të afërmve të të dy skuadrave, të tifozëve, apo dhe ish-sportistëve bardheblu si Mirza Alibegaj, në Sallën Sportive “Farie Hoti” në kryeqytet nuk kishte më “këmbë njeriu”. Njësoj sikur të ishte një ndeshje miqësore që askush nuk e dinte se do të zhvillohej. Duke mbetur tek loja, Tirana është privuar që në momentet e para nga Komti, e cila ka pasur një dëmtim dhe me të është marrë gjatë masazhatori i bardhebluve, Sabahat Kastrati. Mandej edhe pse Vllaznia ka qenë e saktë në sulmet e saj me Ingrid Dashjen, Tirana ka ditur ta fitojë pjesën e parë 22-13. Mirëpo, këtu Vllaznia zgjohet në lojën e saj.
Rashja arrin t’i koordinojë mirë lojtaret e tij e Basha, Mustafa, Çoçja, Berranija e më pas dhe A. Dashja arrijnë që t’i bëjnë ballë Tiranës. Bardheblutë janë konfuzë, ndërsa Vllaznia arrin ta fitojë pjesën e dytë 21-23 dhe ngushton në 43-36. Të rejat, me përjashtim të Duqit dhe E.Aliajt që kanë bërë nga një kosh dhe i kanë dhënë nga një dorë Tiranës në këtë sukses, nuk është se ndihmojnë në atë që Borova kërkon nga të tijtë. Dhe për rrjedhojë Vllaznia e ka fituar dhe pjesën e tretë, 18-20 dhe ka ngushtuar deri në 59-56.
Por fundi është për përvojën e Tiranës, atje ku Eliverta Bujari dhe Rezarta Hoxhaj, pa i hequr meritën lojtareve të tjera, kanë treguar se kur zgjohen dinë ta marrin skuadrën përdore. Në përfundim 22-11 pjesa e katërt dhe me totalin 81-67 Tirana është gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë. Meqë këto dy skuadra do të përballen të shtunën në mesditë përsëri në “Fahrie Hoti”, tashmë për kampionat, me atë që ka shfaqur Vllazninë pritet jo vetëm të jetë sfidë e bukur, por dhe përsëri e vështirë për Tiranën. Sepse dhe dje sikur Vllaznia të kishte guxuar më shumë mund ta bënte surprizë. Por Tirana dje ka vënë përvojën në fushën e lojës, gjë që i dha rezultat.
Tirana – Vllaznia 81-67
(22-13, 21-23, 16-20, 22-11)
Tirana: E. Bujari (17), G. Bujari (15), Komti, Hoxhaj (26), Gjoni (19) / Duqi (2), Konini, Beleshi, E. Aliaj (2). Trajner: E. Borova
Vllaznia: Basha (9), Mustafa (14), Çoçja (4), Berranija (18), I. Dashja (20) / A. Dashja (2). Trajner: R. Rashja
Gjyqtarë: A. Bejko, E. Tiko (Tiranë)
Kupa e Shqipërisë
Basketboll – Femra
Çerekfinalet:
Të martën:
Studenti – Kamza Basket 55-69
Të mërkurën:
Skënderbeu – Elbasani 68-42
Flamurtari – Goga Basket 68-57
Tirana – Vllaznia 81-67