Gjergj Vyshka 14.05.2016 07:55
Tirana ka fituar në gjysmëfinalen e kthimit të “play-off”-it për titull “kampion” edhe për Adelajde Aliaj. Lojtarja bardheblu, në një përplasje me malazezen Turçinoviç, ka dëmtuar gjurin e majtë, ndërsa do të jetë e vështirë që të martën të jetë pjesë e skuadrës në Durrës
Duke iu referuar ndeshjes, pjesa e parë është luajtur pikë më pikë dhe Tirana ka fituar ngushtësisht 21-20. Në të dytën, reagimi i Goga Basket është më i fuqishëm, ndërsa fiton 15-20 dhe në total 36-40. Edhe pse pjesa e tretë është në barazim 21-21, sërish skuadra e Grevës është në epërsi 57-61.
Fundi i lojës është i ethshëm. Duket sikur po shkohet në shtesë, teksa është barazim 75-75. Por Gera Bujari me gjuajtjen e saj të lirë i ka dhënë fitoren Tiranës, 76-75, dhe tashmë duhet një duel i tretë, që do të luhet në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, të martën, duke nisur nga ora 18:00.
Për t’u evidentuar dhe loja shumë e mirë e Bruna Komtit, që me dy trepikëshat e saj është bërë shtytëse për këtë sukses të bardhebluve, të cilat nuk kanë festuar edhe për shkak të dëmtimit të Adelajde Aliajt.
Tirana – Goga Basket 76-75 (1-1)
(21-20, 15-20, 21-21, 19-14)
Tirana: E. Bujari (24), Komti (10), G. Bujari (7), Aliaj (23), Hoxhaj (11) / Gjoni (1), Jaçe, Duqi. Trajner: E. Borova
Goga Basket: Përmeti (19), Popoviç (5), Turçinoviç (31), Qypi (11), Mehmeti (5) / Xhanaj (2), Dishnica (2). Trajner: A. Greva
Gjyqtarë: E. Hoxhaj (Vlorë), G. Basho, J. Gokaj (Shkodër)