AlbanianSport.com 28/02/2019 12:00
ASNN – Qenia në vend të parë në grupin A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Boe femrave nuk i ka dhënë garanci për triumfin final në Kategorinë e Parë të basketbollit të femrave. Për këtë arsye, Shoqata e Klubit të Basketbollit të Femrave të Tiranës (SHKBF Tirana), e trajnerit Erdal Borova, ka bërë blerje të orës së fundit në merkato, duke u fuqizuar me 3 lojtare serbe.
Natyrisht, kjo lëvizje vjen si kundërpeshë për lëvizjet që ka bërë rivalja e saj kryeqytetase, Shoqata e Basketbollit Femra të Tiranës (SHBF Tirana) e trajneres Mirza Alibegaj, por edhe Flamurtari i trajnerit Viron Toska. Titulli shihet i ndarë në këtë treshe dhe njëra prej tyre do t’ia dalë, kështu që lëvizjet e fundit të skuadrës së drejtuar nga trajneri Erdal Borova shihen si lëvizje me synime të qarta për titullin.
Lojtaret e afruara janë të nivelit të lartë të kampionatit serb dhe përfaqësueses serbe. E para është Jelena Maksimoviç, ish-lojtare e qendrës në përfaqësuesen e Serbisë, është afruar gjithashtu Tamara Bajiç si dhe Andrijana Vasoviç. Këto përforcime nuk janë dosido, por janë lëvizje që tregojnë ambicien e madhe të SHKBF Tirana për të fituar titullin “kampion” këtë sezon.
Duke pasur parasysh që edhe skuadra e Alibegajt ka bërë lëvizje të forta në merkato, me lojtare të huaja, pritet që të kemi një garë me rivalitet ekstrem për titullin. Kjo është padyshim pozitive, sepse forcon konkurrencën për trofeun kryesor të sezonit, por në të njëjtën kohë ka pasoja negative, sepse lë në hije lojtaret shqiptare, të cilat, përballë eksperiencës që kanë lojtaret serbe nuk do të kenë shanse aktivizimi.