AlbanianSport.com 14/12/2018 09:50
ASNN – SH.K.B.F.Tirana-Flamurtari, të shtunën kryedueli i javës së 10-të të Kategorisë së Parë. Java e 10-të e Kategorisë së Parë të në basketboll për femra, do të nisë të premten me dy ndeshje dhe do të vijojë nesër me një kryendeshje. Të premten do të përballen Elbasani-Studenti dhe Vllaznia-SH.B.F.Tirana, ku vajzat elbasanase do të synojnë të gjejnë një fitore shprese në këtë kampionat, sepse mbajnë vendin e fundit në renditje.
Ndërkohë, në Shkodër luhet një duel direkt për vend të dytë, sepse, si Vllaznia, ashtu dhe skuadra kryeqytetase e trajneres Mirza Alibegaj, janë pothuajse në të njëjtin nivel. Megjithatë, kryendeshja e kësaj jave është ajo mes Tiranës së trajnerit Erdal Borova dhe Flamurtarit të trajnerit Viron Toska. Dueli midis tyre do të luhet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, të shtunën në orën 16:00. Do të jetë një duel që do të marrë vëmendjen maksimale në këtë kategori të koshit.
Kjo nisur jo vetëm nga pozicionet e skuadrave, por mbi të gjitha për cilësinë që kanë të dy grupet dhe pritshmëritë e tyre. Flamurtari është rritur ndjeshëm javët e fundit dhe ka bërë një progres domethënës, kurse skuadra e trajnerit Borova as e ka vënë në diskutim kryesimin deri më tani, duke i fituar të gjitha ndeshjet. Nëse SH.K.B.F. Tirana e fiton dhe duelin e së shtunës, atëherë ajo është seriozisht skuadra pretendente për titullin. Në të kundërt, një fitore e vlonjatëve të Toskës mund të ndërlikonte situatën për vazhdimësinë.
Gjendja e skuadrave është e mirë dhe të dy kampet janë përgatitur seriozisht për këtë përballje, duke synuar fitoren. Vetë trajneri Viron Toska e ka cilësuar si një ndeshje të vështrië dhe Tiranën e Borovës si rivalin më të vështirë me të cilin do të diskutojë titullin e këtij edicioni. Edhe vajzat e Tiranës e kanë pranuar se Flamurtari është rivali më i fortë dhe skuadra me të cilën do të diskutojnë deri në fund titullin. Këtë gjë e shprehur dy ditë më parë edhe kapitenia e skuadrës kryeqytetase, Erta Bujari.
Ajo pati deklaruar që sheh pikërisht Flamurtarin si rivalin më të rrezikshëm të skuadrës së tyre. Mbi të gjitha, dueli i së shtunës në “Asllan Rusi do të jetë i karakterit psikologjik, si dhe tekniko-taktik. Në këtë duel merr formë edhe ambicia për titullin, megjithëse sezoni është ende i gjatë, ka përpara një merkato dimri si dhe një fazë “play-off”-i në fund të kampionatit.