AlbanianSport.com 01/01/2018 16:20
ASNN – Studenti fiton duelin e fundtabelës me Elbasanin, në fundjavë kryendeshja e javës së 5-të luhet në Vlorë. Në kuadër të javës së 5-të të nivelit më të lartë të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar në Basketboll për Femra, që njihet si grupi A, të mërkurën pasdite u luajt ndeshja midis Studentit dhe Elbasanit, një përballje interesante për vetë faktin se skuadrat ishin në vendet e fundit të renditjes dhe kishin nevojë emergjente për pikë.
Fituan kryeqytetaset me rezultatin 84-56, ku vetë shifrat tregojnë një diferencë të theksuar dhe një fitore të merituar të skuadrës së Studentit. Në takimin e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” nuk pati histori, por as emocione. Diferencat ishin të ndjeshme dhe Studenti i trajneres Fiorentina Mitku i dominoi të katërta pjesët e lojës, duke marrë një dypikësh me vlerë për pozitat e tij në renditje, sepse i largohet paksa fundit të renditjes.
Kurse Elbasani, me 5 humbje në 5 ndeshje, duket se po bën gati “valixhet” e zbritjes një kategori më poshtë sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, në kuadër të javës së 5-të të femrave, të premten dhe të shtunën do të luhen dy ndeshje të nivelit të lartë. Në kryeqytet, pikërisht në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, SH.B.F. Tirana do të presë Vllazninë në orën 15:00, një duel ku kryeqytetaset e Mirza Alibegajt shihen favorite, ndonëse Vllaznia vjen pas një fitoreje të papritur në shtëpi me Flamurtarin.
ndërsa një ditë më pas, në orën 11:00, në Vlorë luhet kryedueli i kësaj jave, ai mes Flamurtarit dhe Sh.K.B.F. Tirana, një duel që pritet të marrë vëmendje maksimale dhe një duel që tregon shumë për vazhdimësinë e sezonit. Flamurtari po kalon një moment jo të mirë dhe këtë mund ta shfrytëzokjë ekipi nga kryeqyteti që drejtohet nga Erdal Borova. Tirana e tij mban dhe kryesimin e renditjes në basketbollin e femrave. Këto dy ekipe, së bashku me SH.B.F. Tirana janë 3 pretendentët kryesorë për titull në këtë kampionat.