Gjergj Vyshka 27.10.2014 17:45
Në protokollin zyrtar të ndeshjes rezultati fiktiv i ndeshjes është 82-52, kurse në realitet vajzat e Fiorentina Mitkut kanë fituar 83-41. Por dhe pse ndodh kështu, të gjitha palët u pajtuan me atë që erdhi nga tavolina. Studenti ka gjetur fitoren e parë të kampionatit përballë skuadrës më të dobët të këtij sezoni, që është Përmeti. Për hir të së vërtetës, vajzat e Fiorentina Mitkut e kanë fituar ndeshjen në realitet me një diferencë prej 42 pikësh, që do të thotë 83-41. Por ndodh fenomeni më i çuditshëm, që në fakt mbizotëron basketbollin shqiptar.
Nga tavolina, përgjatë pjesës së tretë dhe të katërt, përtej kohës që ikte pa pushim vetëm e vetëm që ndeshja të përfundonte sa më shpejt të ishte e mundur, janë shtuar 11 pikë aforfe Përmetit. Dhe në protokollin zyrtar rezultati është 82-52. Për të vërtetuar faktin që përmetaret nuk kanë fuqi të shënojnë më shumë se 40 pikë është dhe rezultati i ndeshjes së parë me Flamurtarin, atje ku vlonjatet e Toskës fituan 38-82. Dhe për këtë akt aspak të moralshëm e të gënjeshtërt me atë që u luajt në parket nuk u ndje askush, madje gjithçka është bërë dhe me dijeninë e trajnerëve të të dy skuadrave.
E gjithë kjo, që në mënyrë që Përmeti të mos dërrmohej shumë në këtë ndeshje të dytë të kampionatit. Por a e ndihmon ky fakt skuadrën e trajnerit Kaso? Aspak. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se përvoja e qendrës Çomollari, që ka luajtur si me Studentin, ashtu dhe me Flamurtarin, por dhe e Halilajt, një tjetër lojtare që deri vjet ka qenë pjesë e ekipit të Fiorentina Mitku, por e Jaçes, ka qenë shumë pak. Përmeti ishte një skuadër e cila kishte vështirësi për të nxjerrë topin nga zona, ku jo pak e ka dhuruar topin për kundërshtaret për shkak të gabimeve të veta, por dhe në gjuajtje.
Studenti me pikëshënuesen më të mirë Mema, por dhe me Lalajn e Metanin, apo dhe Naçollarin e Halilin nuk e ka pasur të vështirë ndaj përmetarëve. Madje mund të kishte shënuar dhe më shumë. Për më tepër, parë dhe nivelin e kundërshtarit, në pjesën e katërt Mitku vendos të aktivizojë lojtaret e reja. Dhe ky mund të ishte momenti më i mirë që Përmeti t’i shënonte ato 11 pikë që “rastësisht” tavolina ia shtoi atyre.
Gjithsesi një ndeshje pa nivel dhe ajo që është më e keqja në basketbollin e femrave Përmeti duket se do të kthehet në një “tabelë qitjeje”, atje ku të gjithë skuadrat do të kërkojnë të rregullojnë pikëaverazhin e tyre. Përfundimisht Studenti e gjeti fitoren e parë të kampionatit dhe u rehabilitua pas humbjes së një jave më parë, 50-77 me Skënderbeun.
Studenti – Përmeti 83-41
(19-4, 21-10, 24-10, 19-17)
Studenti: Mema (28), Lalaj (16), Metani (15), Shima, Naçollari (9) / Halili (11), Dragoni (4), Baraj, Leka, Skënderi, Vani. Trajnere: F. Mitku
Përmeti: An. Çangollari, Çomollari (17), K. Fekollari (2), Jaçe (11), Lamçe (1) / Bektashi, Dalipaj (6), Halilaj (4), Meçani. Trajner: E. Kaso
Gjyqtarë: A. Minarolli, F. Jaçe (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Java e dytë
(25-26 tetor 2014)
Elbasani – Kamza Basket 77-61
Flamurtari – Tirana 84-72
Skënderbeu – Vllaznia 75-67
Studenti – Përmeti 83-41
Apolonia pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Flamurtari 2 2 0 166-110 4
- Skënderbeu 2 2 0 152-117 4
- Tirana 2 1 1 176-149 3
- Studenti 2 1 1 133-118 3
- Elbasani 2 1 1 142-165 3
- Apolonia 1 1 0 85-59 2
- Vllaznia 2 0 2 126-160 2
- Përmeti 2 0 2 79-165 2
- Kamza Basket 1 0 1 61-77 1