Gjergj Vyshka 24.11.2014 12:30
Ndeshja e luajtur dje në mesditë në Përmet mes skuadrës vendëse dhe Skënderbeut ka qenë e fundit për javën e 6-të të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra. Korçaret e Emil Papës, jo vetëm që nuk e kanë vënë për asnjë çast në dyshim fitoren, por mbi të gjitha kanë realizuar një fitore të thellë, ndërsa diferenca e pikëve nuk ka nevojë për koment. Plot 47 pikë diferencë, ndërsa Skënderbeu e ka kthyer në “tabelë qitjeje” Përmetin, që vazhdon të jetë skuadra që përmirëson pikaverazhet e ekipeve të tjera.
Kështu ka ndodhur dhe me Skënderbeun, që me fitoren e djeshme në Përmet, 89-42, është ngjitur në vendin e tretë në renditje. Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Femra i ka luajtur të shtunën 2 nga takimet e javës së tij të 6-të dhe Flamurtari ka bërë minimalen në Shkodër, duke fituar ndaj Vllaznisë me rezultatin 63-57 dhe duke ruajtur të paprekur kreun e renditjes me 6 fitore në po aq ndeshje. Edhe Apolonia nuk ka lëshuar pè në ndjekjen e kreut, duke triumfuar në kryeqytet ndaj Tiranës, me rezultatin 68-62, dhe duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve.
Të premten është luajtur ndeshja e parë e kësaj jave dhe pasi ka fituar ndaj Përmetit dhe Elbasanit në shtëpi, Studenti i Fiorentina Mitkut kanë mundur Kamza Basket, ndërsa Elbasani, për efekt kalendari, ka qenë pushim këtë javë.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Java e 6-të
(21-23 nëntor 2014)
Vllaznia – Flamurtari 57-63
Tirana – Apolonia 62-68
Studenti – Kamza Basket 66-55
Përmeti – Skënderbeu 42-89
Elbasani – pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Flamurtari 6 6 0 440-336 12
- Apolonia 5 5 0 433-301 10
- Skënderbeu 5 4 1 370-295 9
- Studenti 6 3 3 391-389 9
- Tirana 5 3 2 385-318 8
- Elbasani 5 2 3 356-397 7
- Vllaznia 6 1 5 399-448 7
- Kamza Basket 5 0 5 282-371 5
- Përmeti 5 0 5 241-450 5