AlbanianSport.com 05.02.2016 13:45
ASNN – Prej tri ditësh në qytetin e Elbasanit u grumbullua kombëtarja e basketbollit të femrave, nën drejtimit e trajnerëve Erdal Borova dhe Elvira Xhyra. Kjo kombëtare që prej së martës ka qenë në qytetin e Elbasanit dhe dje ka përfunduar stërvitjet që zgjatën tri ditë. Ata pritet ta mbyllin përkohësisht grumbullimin, pasi në program është për t’u luajtur Kupa e Shqipërisë, më 12 dhe 13 shkurt në “Ramazan Njala” të Durrësit.
Dhe në këtë mënyrë vajzat duhet të rikthehen tek skuadrat e tyre. Më pas, do të rinisë sërish grumbullimi në vendin që ende nuk është përcaktuar, por që nuk përjashtohet sërish në qytetin e Elbasanit. Ky grumbullim bëhet në kuadër të ndeshjeve eliminatore që do të ketë kombëtarja shqiptare e basketbollit të femrave për Kampionatin Evropian 2017.
Numri i vajzave që janë grumbulluar është 14 dhe ajo që vihet re ka të bëjë me faktin se vijnë të gjitha nga kampionati shqiptar. Gjatë muajit shkurt kjo kombëtare do të ketë dy ndeshje eliminatore. Ajo do të ndeshet me Britaninë e Madhe, me të cilën do të luajë në fushë të huaj më 20 shkurt dhe me Italinë, që është programuar të luhet në Shqipëri më 24 shkurt.
Deri më tani në dy ndeshje që kanë zhvilluar në fushë të huaj me Italinë dhe Malin e Zi, Shqipëria ka dalë e turpëruar nga fusha, teksa ka pësuar humbje të thella. Ndaj në ndeshjet e radhës, synimi nuk do të jetë fitorja, sepse ajo duket shumë e vështirë për t’u realizuar, por paraqitja pozitive, sepse njihen diferencat e basketbollit shqiptar në krahasim me rivalët.