AlbanianSport.com 17/11/2018 19:05
ASNN – Kurrë më parë nuk kishte ndodhur që një skuadër basketbolli shqiptar, e aq më pak një përfaqësuese e koshit, siç është skuadra kombëtare e femrave, të humbiste me shifra të tilla të pabesueshme, 27-139 përballë përfaqësueses së femrave të Hungarisë. As në vitet më të errëta të koshit shqiptar nuk gjen paraqitje të tillë më të dobët dhe duhet thënë se kjo krizë rezultatesh duhet analizuar me kujdes, ndryshe mbetemi me dekada prapa konkurrentëve evropianë.
Është e vërtetë që basketbolli i femrave nuk është në ditët e tij më të mira, ka pak prurje, cilësi që lë për të dëshiruar etj, por një Kombëtare duhet të jetë ndryshe. Janë 112 pikë diferencë, që janë një më pak sesa ajo 35-148 në ndeshjen paraardhëse me Rusinë, që tregojnë qartë se në çfarë gjendje katastrofike është kombëtarja e femrave në basketboll. Kështu, pasditen e së shtunës, në “Parku Olimpik Tiranë”, kombëtarja e basketbollit të femrave të Shqipërisë u mund nga kombëtarja hungareze 27-139.
Vajzat shqiptare arritën deri diku të rivalizonin vetëm në 10-minutëshin e parë, që u mbyll 11-28 për miket nga Hungaria. Ndërsa pjesët e tjera të lojës ishin një “vallëzim” për kundërshtaret, ndërsa Shqipëria vetëm humbiste terren në parket dhe në shifra. 10-minutëshi i dytë mbyllet 8-31, kurse më i turpshmi për ekipin kuqezi ishte 10-minutëshi i tretë që fiksoi shifrat 2-41. Edhe pjesën e katërt e të fundit e fituan vajzat nga Hungaria 6-39 dhe krejt ndeshjen 27-139.
Kjo ishte një prej humbjeve më të turpshme në historinë e basketbollit shqiptar.
Euro-Basket 2019
Basketboll – Femra
Grupin C:
Shqipëri – Rusi 37-122
Hungari – Shqipëri 137-48
Shqipëri – Lituani 61-119
Rusi – Shqipëri 148-35
Shqipëri – Hungari 27-139
Lituani – Shqipëri 21.11.2018, ora 17:30