AlbanianSport.com 19.11.2016 10:25
ASNN – Kombëtarja e femrave në basketboll, tashmë nën drejtimin e Xhelal Kalasë, u ka dhënë fund përgatitjeve dhe tanimë është gati për dy ndeshjet e fundit eliminatore të Evropianit, atë që do të luajë sonte me Malin e Zi dhe me Britaninë e Madhe të mërkurën.
Trajneri Xhelal Kalaja, i cili ka zëvendësuar në këtë detyrë Erdal Borovën, ka ndërtuar një program stërvitor me dy seanca në ditë, është shprehur i kënaqur me gjendjen e ekipit. “Janë duke u përgjigjur të gjitha vajzat mirë dhe ato janë të kënaqura me stërvitjen”, – ka thënë Kalaja, duke folur në prag të ndeshjes së sotme.
“Produkti do të shihet të shtunën”, – shtoi trajneri i vajzave kuqezi duke folur shkurtimisht. Ndërkohë Federata Evropiane e Basketbollit ka caktuar dhe gjyqtarët për këtë ndeshje. Ata janë maqedonasi Aleksandr Pavlon, boshnjaku Dragan Kralj dhe slloveni Marko Vuckoviç, kurse vëzhgues turku Zija Pala.
Ndeshja Shqipëri-Mali i Zi, që do të luhet sonte, duke nisur nga ora 18:00, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, në kryeqytet, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga TVSH 2 dhe RTSH Sport.