AlbanianSport.com 23.11.2016 07:05
ASNN – Kombëtarja e basketbollit të femrave në prag të ndeshjes së fundit të eliminatoreve të Kampionatit Evropian është privuar nga Dorina Mehmeti dhe Fabiola Përmeti.
Trajneri Kalaja: “Do të mundohemi të shfaqemi më mirë se të shtunën”. Kombëtarja shqiptare e basketbollit për femra do të luajë sonte ndeshjen e fundit në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian të Basketbollit 2017.
Përballë vajzave kuqezi sonte do të jetë Britania e Madhe dhe ndeshja, që do të zhvillohet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.
Shqipëria, që tanimë drejtohet nga trajneri Xhelal Kalaja, i cili ka zëvendësuar në këtë detyrë Erdal Borovën, i ka humbur të 5 ndeshjet e deritanishme dhe mban vendin e fundit të renditjes së grupit C, me 5 pikë.
Ndeshja e parë midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, e luajtur në Mançester, u fitua nga vendaset me rezultatin e thellë 122-36.