AlbanianSport.com 2710/2018 10:40
ASNN – E premtja zbriti në fushë dy skuadra të nivelit më të lartë të basketbollit të femrave, Grupit A, Studentin dhe SH.B.F. Tiranën, në takimin e vlefshëm për javën e 4-t të Kampionatit Kombëtar. Ishte një ndeshje relativisht e lehtë për skuadrën bardheblu, e cila e fitoi takimin me rezultatin 86-57. Në fakt, nuk pati shumë histori në parket, pasi diferencat midis dy skuadrave ishin të ndjeshme, prandaj fitorja e SH.B.F. Tiranës pritej dhe ashtu ndodhi.
Ekipi i drejtuar nga Mirza Alibegaj ka këtë edicion një staturë të fortë, duke dëshmuar profesionalizëm, vullnet, kualitet dhe rezultate të mira. Kjo ishte fitorja e tretë radhazi për ekipin e Alibegajt, një fitore që e ngjit SH.B.F. Tiranën në vend të parë të renditjes me 7 pikë. Studenti, pavarësisht përpjekjes, nuk ia doli të mbajë ritmin dhe në fund u dorëzua pa kushte. Theksojmë se për vajzat e Studentit, kjo ishte humbja e katërt radhazi dhe ekipi mbetet në vend të fundit me 4 pikë.
Së fundmi, të shtunën do të luhen dy ndeshjet e tjera të Grupit A, ku Vllaznia pret Flamurtarin në Shkodër në orën 12:00, kurse SH.K.B.F. Tirana, e drejtuar nga trajneri Erdal Borova, do të presë në orën 16:00 Elbasanin. Me rëndësi të kujtojmë këtu është dhe fitorja në Grupin B e Apolonisë së Fierit, që mundi të premten me shifrat 87-60 Partizanin, duke marrë e vetme kryesimin me 6 pikë dhe duke qenë favoritja kryesore për t’u ngjitur në Grupin A.
Sidoqoftë, kampionati është ende në hapat e parë, ka shumë javë deri në fund, plus që formula e garës krijon mundësinë e surprizave deri në javën e fundit të saj.