AlbanianSport.com 01/10/2018 20:15
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit ka zgjidhur të hënën edhe enigmën e fundit të tij, që ishte skuadra e gjashtë te femrat. Edhe pse nisja e sezonit të ri të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit është në prag kanë qenë të shumta enigmat rrinin pezull mbi fatin e veprimtarisë kryesore të koshit në vend.
Kjo sepse edhe pas hedhjes së shortit para ditësh, nuk ishte sqaruar ende se cila do të jetë skuadra e 6-të që do të luante në Grupin A për femra, pasi ende nuk kishte një variant zyrtar nga Federata Shqiptare e Basketbollit se cila skuadër do të zëvendësojë Goga Basketin, e tërhequr.
Ideja është ajo e zhvillimit të një mini-turneu mes ekipeve të Grupit B, për të caktuar skuadrën që do të luajë mes më të mirave, por, duke qenë se një numër skuadrash u tërhoqën, në lojë pati mbetur vetëm Shoqata Tirana Basketboll Femra, e cila do të përballej në turin eliminator me Skënderbeun.
Por kjo e fundit ka njoftuar tërheqje nga kjo përballje dhe, kësisoj Shoqata Tirana Basketboll Femra plotëson gjashtëshen e grupit A të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra, së bashku me Flamurtarin, Elbasanin, Vllazninë, Studentin dhe Shoqatën Klubi i Basketbollit Tirana Femra.
Siç dihet, tek meshkujt do të jenë 12 skuadrat që do të nisin sezonin e ri sportiv 2018-2019, 6 prej të cilave do të luajnë në Superligë dhe 6 në Kategorinë e Parë. Po ky numër, pra 6, do të jenë edhe skuadrat e Grupit A për femra, ndërsa në Grupin B ky numër është më i vogël, 4 të tilla, e që janë Partizani, Kamza Basket, Apolonia dhe Skënderbeu.