AlbanianSport.com 23/01/2024 20:45
ASNN – Bashkimi dhe Prishtina e kanë nisur me fitore edicionin 2023/24 në Ligën Unike për femra. Të dyja skuadrat luajtën të martën mbrëma, Bashkimi në Prizren kurse Prishtina në Tiranë. E ndërsa Bashkimi korri një fitore të thellë ndaj Flamurtarit të Vlorës, Prishtina e mposhti me rezultat të ngushtë kampionin në fuqi të Ligës Unike, Partizanin e Tiranës. Në duelin e luajtur në palestrën “Asllan Rusi” në Tiranë, Prishtina triumfoi me rezultatin 65-63. Ndeshja gjatë tërë kohës ishte e barabartë, por Prishtina siguroi fitoren në fund të takimit.
10-minutëshin e fundit skuadra prishtinase e mbylli me shifrat 15-11, duke siguruar fitoren në duelin e parë të këtij edicioni të ligës së përbashkët të Shqipërisë e Kosovës. 10-minutëshi i parë ishte i barabartë, 20-20, ndërsa të dytin e fitoi Partizani, 21-16. Prishtina u fut me disavantazh të 5 pikëve në 10-minutëshin e 3-të, të cilën arriti ta fitojë dhe 10-minutëshin e fundit të ndeshjes Partizani e nisi me vetëm dy pikë epërsi, 52-50. Fundorja amerikane Asianë Xhonson, ishte më e spikatura në fitoren e skuadrës së kryeqytetit të Kosovës.
Ajo e mbylli ndeshjen me 31 pikë, 13 topa në tabelë dhe 7 pasime. Në ndihmë i erdhën edhe Xhejd Uilliams, me 15 pikë dhe 12 topa në tabelë dhe Flutura Mehmeti, me 11 pikë dhe 8 topa në tabelë. Tek Partizani, katër lojtare e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore, por nuk arritën ta evitojnë humbjen nga Prishtina. Imela Mala ishte më e dalluara, me 16 pikë, e ndjekur nga Samra Omerbashiq, me 13 dhe Ketojna Fekollari e Ornela Lalaj, që realizuan nga 10 pikë secila.