AlbanianSport.com 13/08/2018 12:00
ASNN – Dy fitore dhe gjashtë humbje. Ky ka qenë bilanci i Shqipërisë së Nën-18-vjeçareve për vajza në basketboll në Divizioni B të Kampionatin Evropian, që ka përfunduar të dielën në Obervart Guzing Fyrstenfeld të Austrisë. Mes 24 ekipeve pjesëmarrëse, Shqipëria, që u drejtua nga trajnerja Mirza Alibegaj, ka zënë vendin e 21-të.
Në finalen për vendin e 21-të dhe 22-të, Shqipëria ka mundur ngushtësisht Kosovën, 63-61. Diferenca ka qenë e madhe në pjesën e parë, teksa Shqipëria ka siguruar një epërsi prej 10 pikësh, 15-5. Reagon Kosova dhe pjesa e dytë është e ekuilibruar. Ka fituar skuadra e Kosovës, 18-19, dhe Shqipëria në pushimin midis dy gjysmave, ka kryesuar me shifrat 33-24.
Në pjesën e tretë duket sikur vajzat kuqezi nuk janë në fushë, ndërsa Kosova ka përmirësuar lojën dhe për rrjedhojë duke fituar 10-21 ka përmbysur në 43-45. Pikë më pikë pjesa e katërt, por që është fituar nga Shqipëria, 20-16 dhe në fund 63-61 për vajzat e Alibegajt, që kështu kanë zënë vendin e 21-të dhe kanë shpëtuar nga rënia në Divizionin C.
Lojtarja më e mirë e ndeshjes për kombëtaren kuqezi të koshit të vajzave të moshës deri në 18 vjeç ishte Klea Verri me 22 pikë të shënuara, 6 topa në tabelë, 4 pasime për kosh dhe 4 rrëmbime të topit në aksion e sipër të kundërshtarit. Tashmë, Kombëtarja e fundit që do të zbresë në fushë është Shqipëria e Nën-16-vjeçareve për vajza, e cila që nga e enjtja do të jetë në Podgoricë në Divizionin B.