Gjergj Vyshka 07.03.2015 17:35
Në konferencën për shtyp të prezantimit të Aleksis Lov, e cila do të mbajë fanellën me Nr. 32 në fushën e lojës, kanë qenë të pranishëm trajneri i Apolonisë, Astrit Greva, si dhe kapitenia e skuadrës, Enisa Semanjaku. Në fjalën e saj të prezantimit, Lov ka bërë të ditur se ndjehet mirë në ambientin shqiptar. “Më duhet të falënderoj Apoloninë dhe drejtuesit e saj që më bënë pjesë të skuadrës, – ka deklaruar ajo. – Ka vetëm pak ditë që kam ardhur në Shqipëri dhe jam e mirëpritur në skuadrën time të re.”
“Jam e rrethuar nga njerëz shumë të mirë. Emri im është Aleksis Lov dhe jam 22 vjeç, – ka vijuar amerikania. – Jam nga Los Anxhelosi dhe kam nisur të luaj basketboll që në moshë të vogël. Për katër vjet kam luajtur me ekipin e Universitetit ku unë studioja. Kam shumë eksperiencë për të arritur deri këtu dhe shpresoj që ta tregoj dhe në Shqipëri atë. Hera e parë që vij të luajë në Evropë. Por kjo nuk është justifikim për mua, sepse duhet ta tregoj se sa vlej në parket.”
“Nëse jeni kureshtar të dini se si luaj mund të shihni në You Tube dhe të kërkoni me emrin tim. Nuk e dija më parë se si ishte Shqipëria. Por kam gjetur një skuadër me një trajner shumë të mirë. E vërteta është se më kanë pritur mirë dhe unë ndihem rehat, njësoi sikur të isha në Amerikë”, – ka përfunduar basketbollistja amerikane, Aleksis Lov, kurse kështu Apolonia tashmë kërkon të jetë dominuese në basketbollin e femrave dhe pse jo “kampione” e vendit.