Gjergj Vyshka 15.11.2016 16:15
Kombëtarja e femrave në basketboll, tashmë nën drejtimin e Xhelal Kalasë, ka nisur përgatitjet për ndeshjet e fundit eliminatore të Evropianit me Malin e Zi të shtunën dhe me Britaninë e Madhe të mërkurën.
Trajneri Kalaja, teksa skuadra është duke u stërvitur me dy seanca në ditë, është i kënaqur me gjendjen e ekipit. “Janë duke u përgjigjur të gjitha vajzat mirë dhe ato janë të kënaqura me stërvitjen”, – thotë Kalaja.
“Produkti do të shihet të shtunën”, – shtoi trajneri i vajzave kuqezi duke folur shkurtimisht. Ndërkohë Federata Evropiane e Basketbollit ka caktuar dhe gjyqtarët për këtë ndeshje.
Ata janë maqedonasi Aleksandr Pavlon, boshnjaku Dragan Kralj dhe slloveni Marko Vuckoviç, kurse vëzhgues turku Zija Pala. Ndeshja do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 18:00, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, në kryeqytet.