AlbanianSport.com 18/01/2024 23:00
ASNN – Flasin kapitenia Tea Memushi, zv/trajneri Dalipi dhe kryebashkiaku Dredha. Ka shënuar dy pikët e përmbysjes, në sekondën e fundit, që i dhuruan Flamurtarit fitoren dhe bashkë me të edhe trofeun e Kupës së Shqipërisë dhe kapitenia Tea Memushi beson se vlonjatet e merituan këtë sukses.
“Sigurisht që ishte një triumf i vështirë, sepse dy skuadrat kanë dhuruar këto dy sezonet e fundit beteja të ashpra, të luftuara deri në pikën e fundit, – ka deklaruar Memushi. – edhe sot u bë një ndeshje e tillë, ku ne luftuam deri në çastet e fundit dhe mendoj se e merituam fitoren.”
Për zëvendëstrajnerin Agim Dalipi, kjo ishte një fitore ku ndikoi edhe fati. “Në fakt, ne bëmë gjithçka sipas asaj që kishim ndërtuar si strategji, por në ndeshje të tilla nuk është edhe aq lehtë, sepse përballë ke një kundërshtar të vështirë, – tha ai. – Por besoj se, edhe me ndihmën e fatit, ia dolëm ta fitonim këtë trofe.”
Emocionet e tij pas triumfit në finale i ka përcjellë edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha. “Për mua si një njeri me të shkuar sportive, jo nga basketbolli, por nga volejbolli, mua më jep, sidoqoftë, kënaqësi të shikoj vajzat vlonjate të fitojnë një tjetër trofe të rëndësishëm”, – ka thënë ai.
“Një trofe që siguron që tradita e suksesshme e basketbollit të Flamurtarit të vazhdojë, për më tepër që këtë vit Flamurtari është përzgjedhur si një nga “Qytetet Evropiane të Sportit”, duke e marrë kështu stafetën nga Tirana dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim edhe më tepër gjithë sportin vlonjat”, – ka përfunduar kryebashkiaku vlonjat.