Gjergj Vyshka 21.10.2014 08:50
Ish-trajneri i kombëtares së meshkujve vihet në krye të ekipit të vajzave të periferikëve të kryeqytetit. Kamza Basket në basketboll për femra duket se është sfida e Roland Avramit. Ish-trajneri i kombëtares së basketbollit për meshkuj, por dhe i Tiranës, me të cilën është ndarë jo me dëshirën e tij, tashmë i është rikthyer një pune të dikurshme.
Sepse edhe përpara se të merrte djemtë bardheblu, ka qenë në krye të femrave të Tiranës. Megjithatë, teksa ka vëzhguar ndeshjen e së dielës mes Studentit dhe Skënderbeut, e cila për shkak të bllokimit të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” është luajtur në Kamzë, Avrami vëren se të gjitha skuadrat janë të një niveli të përafërt.
Sigurisht që dallon Flamurtarin si kampione në fuqi, Tiranën dhe Apoloninë, ndërsa sipas tij Kamza Basket, që të jetë në katër skuadrat e play-off, duhet të bëjë shumë punë. E nis në Elbasan, në një sfidë të vështirë, por që Avrami së bashku me vajzat e periferikëve të kryeqytetit do të përpiqet ta kalojë me sukses.
Ja dhe intervista e tij për “Gazeta e Sportit”.
– Keni qenë i pranishëm në ndeshjen e së dielës mes Studentit dhe Skënderbeu, atëherë cili është mendimi juaj për nivelin e kampionatit?
– Me përjashtim të Flamurtarit kampione në fuqi, Tiranës dhe Apolonisë, pjesa tjetër e skuadrave, duke futur dhe Kamza Basket që unë drejtoj, janë aty-aty. Pra me një nivel të përafërt, të cilat do të duken më mirë kur të jenë përballë njëra-tjetrës në kampionat. Megjithëse unë mendoj se do të bëjmë më të mirën në kampionat, ndonëse është e vështirë përballë tre skuadrave të garës së vajzave.
– A është Kamza Basket për të qenë në katërshen e ekipeve për të pretenduar trofe?
– Duhet ngadalë-ngadalë t’i marrim gjërat. Kemi një grup vajzash që ulin kokën dhe punojnë shumë për të arritur në katërshen e ekipeve të para. Ne ende nuk e kemi nisur garën, sepse e kishim pushim javën e parë të kampionatit. Megjithatë se besoj se hap pas hapi do të mund të bëjmë diçka të mirë për basketbollin e vajzave të Kamza Basket.
– Si është të vish nga një Tiranë me shumë trofe në basketboll për meshkuj në një skuadër si Kamza Basket për femra pa shumë traditë për fitime titujsh?
– Pas Tiranës, edhe unë duhet të nisja diku për të qenë përsëri në lojë dhe për të mos humbur. Falënderoj drejtuesit e Kamza Basket që ma besuan mua drejtimin e ekipit të vajzave, mbi të gjitha mikun tim Adem Muhametaj, dhe besoj se do të bëjmë diçka të bukur.
– Ndeshja e radhës në fushë të huaj ndaj Elbasanit. Si e mendoni?
– Elbasani, të paktën siç dhe më kanë thënë, ka dy lojtare tek të cilat mbështet gjithçka të veten. Do të përpiqemi që me shumë kujdes në mbrojtje dhe me shumë saktësi në sulm ta marrim dhe ta nisim mbarë këtë sezon. Është një sfidë për mua, por që shpresoj ta kaloj me sukses, ashtu sikurse kam qenë në krye të Tiranës.