AlbanianSport.com 12.10.2014 11:45
ASNN – “Qazim Dervishi” i rikonstruktuar bën provën e tij zyrtare me ndeshjen e kampionatit të basketbollit. Vllaznia e nis si kampione nga Shkodra, kurse Flamurtari do të provojë e para vizitën përmetare. Siç ishte parashikuar, është hedhur paraditen e djeshme në zyrat e Federatës Shqiptare të Basketbollit, shorti i kampionatit kombëtar për femra dhe meshkuj 2014- 2015.
Në prani të Sekretarit të Përgjithshëm, Korab Llazani, dhe dy anëtarëve të kryesisë, Ilir Taflaj dhe Bashkim Milo, skuadrat pjesëmarrëse u njohën me kundërshtarët e sezonit të ri sportiv. Edhe pse njoftimi ishte bërë për të gjitha klubet, përfaqësimi i tyre ishte në minorancë. Të pranishëm për tërheqjen e goglave ishin Vllazina, Apolonia, Tirana, Partizani dhe Kamza Basket.
Ndërkohë Superliga për meshkuj e Kategoria e Parë për femra do të nisë më 17 tetor, Kategoria e Parë e meshkujve ngre siparin më 24 tetor. Sakaq risia e këtij kampionati, përveç largimit të Universitetit Amerikan të Tiranës, që e ka shkrirë plotësisht ekipin, dhe zëvendësimit të saj në Superligë me Apoloninë, është hyrja e Përmetit në grupin e të rriturave.
Tek femrat, për shkak të mungesës së një skuadre, janë vetëm nëntë ekipe pjesëmarrëse, ndërsa njëra çdo javë do të ketë pushim. Tek meshkujt A2, të cilët do ta nisin kampionatin më 24 tetor, janë vetëm katër skuadra, ndërsa pas një viti mungesë kthehet në parketin e meshkujve ekipi kryeqytetas, Studenti, tashmë me trajner Henri Mojën.
Pak ditë më parë Kryesia e Federatës Shqiptare të Basketbollit përcaktoi 17 tetorin si datën e fillimit të kampionatit kombëtar të rritur/ rritura për sezonin 2014- 2015. Në vendimin e marrë në dijeni të të gjithë klubeve anëtare, Ekzekutivi i basketbollit kërkoi respektimin e të gjitha afateve dhe detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim. Të 3 kampionatet do të luhen me dy faza, atje ku katër të parat do të bëjnë më pas “play-off” për titull “kampion”.
Kurse tek meshkujt, e gjashta bie direkt në Kategorinë e Parë dhe zëvendësohet me të parën, ndërsa e pesta bën “Play-out” me të dytën e Kategorisë së Parë.
Kampionatit Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Java e Parë
(17 tetor 2014)
Tirana – Elbasani
Vllaznia – Apolonia
Përmeti – Flamurtari
Studenti – Skënderbeu
Kamza Basket – pushim