AlbanianSport.com 02.05.2015 10:25
ASNN – Skuadra e tij është mundur 2-3 nga Flamurtari në “play-off”-in final të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra, por trajneri i Apolonisë, Astrit Greva, ka dëshmuar shpirtin e lojës së ndershme, kur deklaroi: “Ishte një finale e humbur nga ana jonë, por gjithsesi ishte një finale e bukur. Skuadra ime doli e humbur, por me pak fat edhe mund të ishim ne kampionë.”
“Flamurtari e udhëhoqi ndeshjen nga fillimi në fund dhe mendoj se e meritoi, – ka deklaruar veterani, duke folur për ndeshjen e 5-të finale. – Lojtaret vlonjate janë më me përvojë dhe mendoj që ky ishte një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e fituesit.” Ndërkaq, homologu i tij, trajneri i kampioneve të Flamurtarit, Viron Toska, theksoi se ishte një finale e denjë, por që skuadra e tij ishte përgatitur për të marrë maksimumin.
“E dinim që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe për këtë vlerësuam në maksimum çdo detaj, – ka deklaruar ai. – Përballë kishim një kundërshtar shumë të fortë dhe me këtë rast dua të përgëzoj trajnerin Astrit Greva për frymën që ka transmetuar në ekipin e tij. Ne e dominuam ndeshjen nga fillimi dhe mendoj se e merituam plotësisht të shpalleshim “kampionë.”
“Nuk mendoj se jemi me fat në këtë pjesë, pasi edhe në finalet e tjera kemi luajtur shumë mirë”, – ka përfunduar ai.