Gjergj Vyshka 25.05.2016 08:45
Goga Basket në basketboll për femra e ka futur në ekuilibër titullin “kampion”, ndërsa dje pasdite në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit ka fituar ndeshjen e dytë finale përballë Flamurtarit, 68-57. Një “kthim restoje” për vajzat e Viron Toskës, të cilat, edhe pse kanë qenë në epërsi në fund të gjysmës së parë, 29-30, nuk kanë mundur ta mbajnë këtë fitore për të shpresuar që ta mbyllnin titullin “kampion” të premten në Vlorë.
Në fakt nisja e kampioneve në fuqi duket e mbarë, ndërsa kanë fituar pjesën e parë 10-16. Por vetëm kaq. Goga Basket, edhe me udhëzimet e trajnerit Astrit Greva dhe të ndihmësit të tij Vladimir Xheka, rregullon e përmirëson lojën në të gjitha drejtimet. Forcohet mbrojtja, bëhen më të sakta në kapjen e topave në tabelë dhe për rrjedhojë rregullohet shënjestra në sulm.
Pjesa e dytë është për Goga Basket 19-14 dhe në pushim kryeson Flamurtari 29-30. Goga Basket, edhe pse luhet pikë më pikë, nuk lëshon. Përkundrazi e fiton pjesën e tretë 16-14 dhe tashmë është në epërsi të një pike, 45-44. Pjesa e fundit është ajo që vulos gjithçka, sepse Flamurtari ka lëshuar në lojën e vet, ndërsa Goga nuk fal më. 23-13 dhe në fund një fitore me 11 pikë diferencë për Goga Basket, 68-57. Që do të thotë barazim dhe duket se po shkohet drejt një dueli me pesë finale që do të mund të zgjidhet vetëm në ditët e para të qershorit.
Goga Basket – Flamurtari 68-57 (1-1)
(10-16, 19-14, 16-14, 23-13)