AlbanianSport.com 09.02.2016 17:55
ASNN – Sipas një njoftimi të shpërndarë për mediat, më datë 10 dhe 11 shkurt 2016, Komuna e Çairit në Maqedoni, në bashkëpunim me Klubin e Basketbollit “Shkupi” do të organizojnë turneun ndërkombëtar për të rritura, ku përveç ekipit organizator, do të marrin pjesë edhe “Goga Basket” e Durrësit, nga Shqipëria, Klubi i Basketbollit “Prishtina” nga Kosova dhe Klubi i Basketbollit “Klubski” nga Dellçeva.
Turneu do të fillojë me ndeshjen e parë gjysmëfinale, midis KB Prishtinës dhe KB Klubskit, ndërsa pas përfundimit të saj, diku rreth orës 19:05 këtë turne do ta shpallin edhe zyrtarisht të hapur, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, si dhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa. Pas këtij ceremoniali, do të pasojë ndeshja e fundit e ditës së parë, gjysmëfinalja tjetër, midis KB Shkupit dhe KB Durrësit.
Ndërsa në ditën e dytë, fituesit që do të dalin nga këto dy ndeshje do luajnë në finalen e madhe, ndërsa skuadrat që humbëse do të luftojnë për vendin e tretë dhe të katërt.