AlbanianSport.com 23.01.2017 12:55
ASNN – Skuadrat shqiptare të basketbollit për femra vijojnë përgatitjet për fazën e dytë të Kampionatit Kombëtar dhe është skuadra e Goga Basket ajo që ka dalë fituese në miqësoren e zhvilluar në fundjavë në Malin e Zi me Lovçen. Durrsaket e drejtuara nga trajneri Henri Moja e mbyllën takimin përballë vendit të dytë në Malin e Zi me shifrat 73-49.
Në këtë ndeshje, trajneri Moja i besoi edhe basketbollistes amerikane, Xhasminë MekRoi. Ky është përforcimi i radhës për Goga Basketit që e çon në 3 numrin e lojtareve të huaja te skuadra durrsake. Basketbollistja e dytë amerikane në radhët e Gogës është një organizatore, e cila në fazën e parë të kampionatit ka luajtur në kampionatin e Bosnjë-Hercegovinës.
Kjo sepse Goga Basket ka edhe një amerikane tjetër e një boshnjake. Debutimi i MekRoit ka qenë mbresëlënës, teksa ajo realizoi 30 pikë. Sipas klubit, prurja e re ndërtoi me fantazi dhe talent lidhjen e lojës ku shumë herë entuziazmoi të pranishmit në kombinimet me Samra Omerbashiçin. Presidenca durrsake ka planifikuar edhe një miqësore tjetër në Malin e Zi me kampionet vendëse të Buduçnostit.
Pas 9 javëve të fazës së parë në kampionat, Goga Basket mban vendin e dytë në renditje, me 7 fitore dhe 1 humbje pas Tiranës, kryesueses që njeh vetëm fitore, ndërsa në vendin e 3-të renditet Flamurtari.