AlbanianSport.com 28/11/2018 08:50
ASNN – Flamurtari duket se e ka rimarrë veten dhe pas një nisjeje të dobët është futur plotësisht në rrjedhën e garës, duke ngjitur shkallët një pas një dhe duke sfiduar tashmë SH.K.B.F. Tiranën që ndodhet në krye të renditjes, pa asnjë humbje deri më tani.
Skuadra vlonjate, e drejtuar nga trajneri Viron Toska, mundi të martën në kryeqytet Studentin me rezultatin 85-59. Një rezultat që tregon në mënyrë domethënëse diferencat midis dy skuadrave.
10-minutëshi i parë përfundoi me shifrat 12-30 dhe ishte pjesa ku vajzat vlonjate bënë diferencë vendimtare, pasi këtë epërsi jo vetëm e ruajtën deri në fund, por edhe e thelluan minutë pas minute.
Edhe 10-minutëshi i dytë u fitua nga vlonjatet 19-16. Në pushimin e ndeshjes Flamurtari udhëhiqte 49-28. Në 10-minutëshin e tretë vijon thellimi i shifrave dhe kjo pjesë mbyllet me 17-25.
I vetmi 10-minutësh ku dominoi Studenti ishte i katërti, pra i fundit, por që nuk kishte më rëndësi sa i përket rezultatit përfundimtar dhe vlonjatet lëshuan terren dhe ai u fitua nga Studenti 14-11.
Krejt ndeshja u fitua nga vlonjatet 85-59, pra me 26 pikë diferencë, duke i dhënë një impuls të fortë ekipit të Viron Toskës që me këtë fitore ngjitet në vend të dytë, pas Tiranës së Erdal Borovës. Kurse Studenti mbetet i parafundit me 9 pikë.
Të premten e 30 nëntorit 2018, Vllaznia pret në Shkodër SH.K.B.F. Tiranën e trajnerit Erdal Borova, në ndeshjen që nis në ora 18:00, ndërsa të shtunën, më 1 dhjetor 2018, në ora 14:00 luhet përballja Elbasani-SH.B.F. Tirana.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Grupi A
Java e 8-të
Të martën, 27 nëntor 2018:
Studenti – Flamurtari 59-85
Të premten, 30 nëntor 2018:
Vllaznia – SH.K.B.F. Tirana (18:00)
Të shtunën, 1 dhjetor 2018:
Elbasani – SH.B.F. Tirana (14:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- SH.K.B.F. Tirana 7 7 0 14
- Flamurtari 8 5 3 13
- Vllaznia 7 5 2 12
- SH.B.F. Tirana 7 4 3 11
- Studenti 8 1 7 9
- Elbasani 7 0 7 7