AlbanianSport.com 30.03.2016 08:50
ASNN – Vlonjatet e Viron Toskës një rrugë dhe dy punë, luajnë ndeshjen e kampionatit për javën e 18-të, si dhe bëhen gati për zgjedhjet e reja në institucionin më të lartë të koshit, sot në Korçë. Java e 18-të e basketbollit të femrave ka nisur që mbrëmë, teksa në orën 17:00 Skënderbeu priti Flamurtarin në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” të Korçës.
Një ndeshje që në fakt ndryshe nga herët e tjera ka pasur mysafirë jo vetëm vlonjatet, por edhe gjithë kryesinë dhe anëtarët e FSHB-së, të cilët ditën e sotme do të zhvillojnë asamblenë zgjedhore në qytetin juglindor. Presidenti Avni Ponari dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbolli, Korab Llazani, kanë qenë gjatë gjithë takimit të djeshëm.
E të pranishëm kanë qenë edhe personalitete të tjera që kanë ndjekur një ndeshje të bukur në parket, por që në fund ka pasur vetëm një fitues, Flamurtarin. Në orët e mbrëmjes e gjithë kryesia e vjetër e FSHB-së mësohet se ka qenë në fshatin turistik të Boboshticës, teksa asambleja zgjedhore nis sot në orën 10:00.