AlbanianSport.com 25.04.2015 20:40
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Femra do t’i shkojë deri në fund kalendarit të tij të “play-off”-it final, pasi Flamurtari e ka fituar ndeshjen e katërt ndaj Apolonisë, duke e barazuar rezultatin e përgjithshëm në 2-2 dhe duke bërë kështu që titulli “kampion” të vendoset në Durrës, që është në fakt edhe shtëpia e adoptuar e skuadrës fierake për shkak të mungesës së një Pallati Sporti në qytetin e saj.
Vlonjatet e drejtuara nga trajneri Viron Toska e kanë fituar ndeshjen e 4-t, të luajtur sonte në fushën e tyre, në Pallatin e Sportit “Flamurtari”, me rezultatin komod, 68-57. Në takimin që nisi në ora 18:00, vendaset e vendosën diktatin e tyre që në 10-minutëshin e parë, të cilin e fituan me 10 pikë epërsi, 23-13, duke vijuar ta ruajnë këtë diktat, pavarsisht se fierakët fituan pjesën e dytë.
Skuadra e drejtuar nga veterani Astrit Greva e ka fituar 10 minutëshin e dytë, 16-10, por në pushim të ndeshjes janë vlonjatet që mbeten në kryesim, 33-29. Dhe, duke u kthyer nga dhomat e zhveshjeve, Flamurtari nuk lëshon më pé, duke e fituar pjesën e tretë me shifrat 21-17 dhe atë të katërtën 14-11, dhe gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 68-57.
32 pikët e realizuar si pikëshënuesja më e mirë e takimit nuk i kanë mjaftuar basketbollistes së Apolonisë, Enxhi Xhanaj, që të shmangë humbjen e skuadrës së saj. Pas Xhanaj, shënuesja më e mirë ishte Marijana Çorto e Flamurtarin, e ndjekur nga shoqja e saj e skuadrës, Migena Plasa, dhe Enisa Semanjaku e Apolonisë. Ndeshja e 5-të e finales luhet të mërkurën, më 29 prill, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.