AlbanianSport.com 28.02.2017 13:45
ASNN – Apolonia në basketboll për femra është mundur të dielën në fushë të huaj me Skënderbeun, duke humbur me rezultatin 75-73 vetëm në sekondat e fundit, të takimit të vlefshëm për javën e 13-të. Por trajnerja Hermiona Çuko dhe drejtuesit e klubit nuk e pranojnë këtë disfatë. Ata shprehen se ndihen të vjedhur nga ajo ndeshje pasi nuk e meritonin të humbisnin pasi sipas tyre e kanë dominuar atë takim. “Çdo gjë për këtë ndeshje ishte paravendosur që do të fitonte Skënderbeu”, – ka deklaruar inspektori i klubit shumësportësh që shoqëronte ekipin fierak në këtë ndeshje, Baftjar Abazi, i cituar nga e përditshmja sportive shqiptare, “Panorama Sport”.
“J. Muho dhe E. Tiko, me gjykimin e tyre të njëanshëm na vodhën në këtë ndeshje mundin dhe djersën e vajzave të reja, – ka vijuar ai. – Ata, veçanërisht Tiko, vetëm gjyqtarë nuk ishin. Nuk ishin gabime njerëzore ato që bënin ata, por të qëllimshme që të fitonte me çdo kusht ekipi vendas i Skënderbeut. Lejuan lojën e fortë jashtë çdo rregulloreje ku lojtaret tona goditeshin me bërryla e çirreshin nga fytyra, ndërkohë që kundërshtaret vetëm në 20 minutat e para u ndëshkuan. Tri lojtaret korçare Pëllumbi, Llazar dhe Arifi u ngarkuan me 4 gabime personale që në fillimin e pjesës së dytë, por gabimet personale që bënin në vazhdim u ngarkoheshin lojtareve të tjera.”
“Më flagrant ishte rasti i basketbollistes Llazar, – ka theksuar zyrtari i klubit fierak. – Ajo shkakton gabim personal në mbrojtje, por gjyqtari Tiko, që bashkëbisedonte gjatë gjithë lojës duke qeshur me kapitenen e skuadrës kundërshtare, ia ngarkon këtë gabim personal lojtares me numër 6 që s’kishte lidhje dhe ishte larg topit. Nuk po flasim për të justifikuar humbjen, por këto i kemi dhe të filmuara. Është turp që federata dërgon gjyqtarë të tillë që vetëm të tillë nuk janë.” Ndërkohë që shefi i klubit shumësportësh, Astrit Muka, shkon edhe më larg: “ I bëjmë thirrje Federatës ta analizojë dhe të marrë masa.”
“Kryesisht ndaj gjyqtarit Tiko që e bëri baltë dhe në ndeshjen ndaj Elbasanit më parë, – ka vijuar Muka. – Ky gjyqtar është “non grata” për Apoloninë dhe ju lutem të mos na arbitrojë në asnjë ndeshje, ndryshe ne do t’i japim e do ta mbajmë gjatë gjithë vitit me paçe e pilaf vetëm që të gjykojë drejt. Ne vërtet kemi një ekip të ri, por nuk duam të na favorizojnë, por vetëm drejtësi.”