Gjergj Vyshka 13.11.2015 10:40
Ndërkombëtarët kanë vënë si afat për ndeshjen e parë në shkurt ndaj Italisë 20 nëntorin. Në të kundërt ka të ngjarë që përsëri të jemi në fushë të huaj, në mungesë të atij Pallati Sporti që kërkojnë evropianët.
E teksa Kombëtarja e femrave vazhdon përgatitjet e saj për dy ndeshjet e para Eliminatoreve të Evropianit 2017, më 21 nëntor ndaj Italisë dhe më 25 nëntor ndaj Malit të Zi, evropianët kanë nisur të shtrëngojnë kërkesat e tyre.
Në fakt kërkesat nuk janë vetëm ndaj Federatës Shqiptare të Basketbollit, por ndaj të gjithë anëtarësisë, të cilët marrin pjesë në këto Eliminatore. Kërkesa më thelbësore, të paktën edhe sipas drejtuesve të Federatës Shqiptare të Basketbollit, është se deri më 20 nëntor duhet çuar vendi se ku do të zhvillohet ndeshja në shkurt.
Bëhet fjalë për takimin me Italinë, e cila duhet të luhet në fushën tonë më 24 shkurt. E në mungesë të një Pallati Sporti të standardeve që kërkon Federata Evropiane e Basketbollit për këto ndeshje ka të ngjarë që edhe në shkurt ne përsëri të jemi në fushë të huaj. Dhe kjo nuk është e ndershme jo vetëm me publikun, por as me mediat e televizionet, apo të gjithë ato që presin ta shohin kombëtaren e femrave në Shqipëri.