Gjergj Vyshka 09.11.2016 07:55
Moti i keq bëhet shkak për mos udhëtimin e Elbasanit në Vlorë, Vllaznisë në Durrës dhe Skënderbeut sot drejt Tiranës. Kualifikohen direkt Flamurtari, Goga Basket dhe Tirana, pritet të luhet Studenti-Kamza Basket. Flamurtari në basketboll për femra ka fituar pa luajtur dje në Vlorë, 20-0 në “tavolinë”, ndërsa është kualifikuar kështu për në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Një fazë finale që duket se është vendosur të luhet në Durrës, më 27 dhe 28 nëntor 2016, si për meshkuj, ashtu dhe për femra.
Elbasani nuk ka mbërritur në Vlorë, të paktën kjo edhe sipas vëzhguesit të ndeshjes, Artur Kasaj, sepse nuk është lejuar të udhëtojë drejt Vlorës për shkak të motit të keq. Dhe në bazë të rregullores, teksa është pritur vetëm 5 minuta, gjyqtarët Olti Kasmi dhe Gilbert Hoxha kanë nisur lojën dhe më pas kanë vërshëllyer për përfundimin e saj, e cila është mbyllur me rezultatin 20-0 në “tavolinë”. Por të njëjtin fat ka pasur dhe Goga Basket-Vllaznia.
Kjo ndeshje ishte vendosur për t’u luajtur në ora 18:00 në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit. Vllaznia është nisur, por është kthyer mbrapsht nga policia, sepse në mbrëmje, nëse do të ketë ndonjë hapje të portave të liqenit të Hidrocentralit, nuk mund të parashikohej se çfarë do të ndodhte më pas në Shkodër. Ndaj për arsye sigurie, Vllaznia nuk ka udhëtuar në Durrës.
E për të njëjtën arsye, sipas lajmërimit që ka bërë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, për Sport Ekspres, Skënderbeu nuk do të udhëtojë drejt Tiranës. Ishte vendosur që në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, sot në ora 15:00, të luhej Tirana-Skënderbeu. Por Skënderbeu nuk ka udhëtuar, duke u konsideruar dhe kjo ndeshje e humbur 20-0 në “tavolinë” në favor të bardhebluve.
E vetmia që pritet të luhet, por tashmë në ora 17:00 në Sallën Sportive të Bathores, do të jetë Studenti-Kamza Basket, ndonëse ishte parashikuar të luhej në “Asllan Rusi” në ora 19:00. Kësisoj me fitore në “tavolinë”, por më shumë se sa e parashikueshme, Flamurtari, Goga Basket dhe Tirana janë të kualifikuara pa luajtur në fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. E kështu do të ndodhë dhe me Studentin, pavarsisht nëse luhet apo jo me Kamza Basket.
Kupa e Shqipërisë 2016
Basketboll – Femra
Rezultatet teknike të çerekfinaleve:
Të martën:
Flamurtari – Elbasani 20-0 (në tavolinë)
Goga Basket – Vllaznia 20-0 (në tavolinë)
Tirana – Skënderbeu 20-0 (në tavolinë)
Të mërkurën:
Studenti – Kamza Basket ora 17:00
Salla Sportive e Bathores