AlbanianSport.com 05/01/2018 15:20
ASNN – Bëhen llogaritë e para, Erta Bujari: Tirana jonë dhe Flamurtari do të jenë rivalë për titullin, Tiranën e Alibegajt mundim me “sy mbyllur”. Kryendeshja e javës së 5-të të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra, ishte ajo ndërmjet Flamurtarit dhe SH.K.B.F. Tiranës, e luajtur në pallatin e sport në Vlorë dhe fituar në kohën shtesë nga kryeqytetaset me shifrat 82-78.
Ishte një fitore që e konfirmoi ekipin bardheblu të trajnerit Erdal Borova si të pamposhtur në këtë fazë të parë të garës, me 5 fitore e asnjë humbje. Duke folur në përfundim të ndeshjes, kapitenia e SH.K.B.F. Tiranës, Erta Bujari, ka evidentuar si rivalë për titull pikërisht skuadrën e saj dhe Flamurtarin, pavarësisht se nisja e skuadrës vlonjate në këtë moment nuk ka qenë aq i mirë.
“E mbyllëm fazën e parë pa asnjë humbje, – ka thënë Bujari, – fakt ky që konfirmon se skuadra jonë do të luftojë për fitimin e kampionatit. Ndeshja në Vlorë ishte shumë emocionuese dhe pati cilësi loje në parket. Ishte një duel shumë i fortë, që mund ta fitonim ne, por mund ta fitonte dhe Flamurtari, por në fund ia dolëm që të triumfonim ne. Flamurtari është një ekip me karakter dhe shumë më i fortë se SH.B.F. Tirana.”
“Mendoj që finalja e madhe e kampionatit do të jetë ndërmjet ekipit tonë dhe Flamurtarit, pasi 3 humbjet që ka pësuar skuadra vlonjate nuk do të thonë asgjë, – ka vijuar ajo. -Ndeshjet e parë të fazës së dytë e luajmë “jashtë fushe”, – vijon Bujari, – pasi përballemi me SH.B.F. Tiranën në “Fahrie Hoti”. Megjithatë, kjo për ne nuk do të jetë aspak si një sfidë jashtë fushe, sepse në atë Sallë Sportive ne jemi rritur e aty shënojmë symbyllur.”