AlbanianSport.com 14/03/2019 12:55
ASNN – Kapitenia e skuadrës së Shoqatës së Klubit të Basketbollit të femrave të Tiranës, Eliverta Bujari, theksoi dje për mediat sportive të ditës se skuadra e saj ndihej e motivuar për të fituar ndaj rivales së një qytetit, Tiranës tjetër, Shoqatës së Basketbollit të Femrave të trajneres Mirza Alibegaj, me shpresën se skuadra e tyre do të shkojë e qetë drejt titullit përfundimtar. Bujari thotë se i pëlqen fakti që do të luhet në “Fahrie Hoti”, atje ku ajo ka shtëpinë prej 15 vjetësh.
“Të shtunën do të kemi një ndeshje të veçantë me Tiranën tjetër dhe do ta luajmë në “Fahrie Hoti”, – u shpreh që në fillim kapitenia Bujari, – një fushë që e njoh me pëllëmbë, dhe jo vetëm unë, por edhe vajzat e tjera. Më vjen keq që politika të ndryshme të brendshme në klub prodhuan këtë ndeshje të çuditshme. Megjithatë, Tirana është e madhe dhe ka vend për të gjithë, por produktet e vërteta të shkollës tiranase të basketbollit jemi disa prej skuadrës tonë.”
“Uroj që të shtunën të dalim fitimtare në duelin derbi me Tiranën tjetër, – vijoi më tej Bujari, – dhe unë besoj se këtë sezon do të arrijmë të dalim “kampion” dhe të vendosim respektin që meritojmë pas gjithë atyre padrejtësive që na janë bërë gjatë këtij edicioni.”
Dueli derbi midis SHKBF Tiranës së trajnerit Erdal Borova dhe SHBF Tiranës së trajneres Mirza Alibegaj do të zhvillohet ditën e shtunë në sallën sportive “Farie Hoti” në kryeqytet, në orën 17:00.
Këtë të enjte, luhet në “Asllan Rusi”, po në kryeqytet, dueli Studenti-Vllaznia. Kurse të shtunën Elbasani do të presë Flamurtarin në orën 12:00.