AlbanianSport.com 25/09/2018 20:30
ASNN – Nuk ka vonuar shumë dhe, më pak se 24 orë pas njoftimit të së kryesisë së Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), e cila ka vendosur se do të organizojë një tur paraeliminator për të përcaktuar se cila do të jetë skuadra e 6-të që do të luajë në Grupin A, në vend të Goga Basketit të tërhequr, ka ardhur reagimi i Klubit “Apolonia”. Skuadra fierake i ka dërguar FSHB-së me një letër të hapur, ku shprehet se sipas rregullores i takon asaj të luajë në Grupin A, mes më të mirave, pa patur nevojë që të organizohen ndeshje shtesë.
“Ne jemi pala e prekur dhe na del si detyre t’ju informojmë në lidhje me disa detaje që ndoshta nuk i dini, – thuhet në një shkresë zyrtare që klubi “Apolonia” i ka drejtuar FSHB-së, – Ne jemi ekipi i vendit të dytë në Grupin B për sezonin e kaluar 2017-2018. Si rrjedhojë, kemi luajtur në “play-out” me Vllazninë për t’u futur në Grupin A, por nuk mundëm të fitonim. Në situatën e krijuar ku Goga Basket është tërhequr nga kampionati, sipas rregullores na takon ne të ngjitemi në Grupin A. Në rast se kjo e drejtë do të na hiqet, ne do ndjekim rrugën ligjore.”
“Madje duke i drejtuar një e-mail FIBA-s për ta vënë në dijeni për çfare po ndodh dhe më pas do të ndjekim hapat e tjerë, sipas ligjeve në fuqi”, – shkruan në vijim klubi fierak, që më pas i kujton Federatës Shqiptare të Basketbollit edhe një precedent të freskët që hedh poshtë vetë vendimin e saj. “Në sezonin 2017-2018, në kategorinë e meshkujve ka ndodhur i njëjti precedent dhe pas shkrirjes se ekipit Ardhmëria Basket, është pyetur ekipi i Flamurtarit nëse ishte i gatshëm të vazhdonte të luante në Grupin A, pasi ishte renditur i fundit në këtë grup”, – shkruhet në ankesën e Apolonisë.
“Pasi ekipi i Flamurtarit i është përgjigjur negativisht kësaj ftese për mungesë fondesh i është dhënë e drejta ekipit të vendit të dytë në renditjen e Grupit B, që ishte Tirana Eagles Basket. E njëjta gjë po ndodh këtë vit në basketbollin e femrave dhe na takon ne të ngjitemi në Grupin A. Ju kujtojmë se kemi bërë edhe pagesën sipas rregullores që i takon pjesëmarrjes në këtë grup”, – përfundon reagimi i Klubit “Apolonia” lidhur me sezonin e ri të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra.