AlbanianSport.com 01.02.2015 17:45
ASNN – Java e 10-të e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Femra, që ishte edhe e para për këtë vit, ka vijuar me duelin në distancë të dy pretendenteve dhe dy skuadrave që u përballën edhe para pak ditësh në Superkupën e Shqipërisë, Apolonisë dhe Flamurtarit.
Fieraket e veteranit Astrit Greva kanë kapërcyer humbjen në Superkupë, duke e shfryrë dufin e tyre në takimin e djeshëm ndaj Vllaznisë, të cilën e kanë shpartalluar me rezultatin e thellë, 120-64, që, sikundër shihet nga shifrat, ka qenë shumë pranë një epërsi të dyfishtë.
Por edhe Flamurtari, duke marrë mbase zemër edhe nga suksesi në Superkupë, është përgjigjur me të njëjtën monedhë, duke mos patur aspak mëshirë për debutueset e Përmetit, të cilat i ka mundur me epërsinë 70-pikëshe, 114-44. Apolonia kryeson renditjen me 18 pikë, pas 9 fitoresh në po aq javë.
Kurse vlonjatet e Viron Toskës janë një pikë më prapa dhe ndiqen në vendin e tretë nga Tirana, e cila ka korrur një fitore të rehatshme dje në Elbasan, duke fituar me 20 pikë epërsi, 91-71, skuadrën vendase. Në takimin e fundit të kësaj jave, Studenti i Fiorentina Mitkut ka marrë një fitore karakteri në Korçë ndaj Skënderbeut, me shifrat 68-57.
ELBASANI – TIRANA 71-91
(22-20, 17-27, 20-29, 12-15)
ELBASANI: Gjata, Rusta, A. Xhyra, J. Sylenji, Qosja / M. Sylenji, Sh. Xhyra, Zenuni, K. Xhyra, Lushnjari, Ahmeti, Shabani. Trajnere: E. Xhyra
TIRANA: Duqi, Popoviç, Huta, Hoxhaj, Gjoni / E. Bujari, G. Bujari, Konini, Aliaj, Turçinoviç. Trajner: E. Borova
GJYQTARË: G. Basho (Shkodër), A. Bejko (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Java e 10-të
(31 janar 2015)
Elbasani – Tirana 71-91
Apolonia – Vllaznia 120-64
Flamurtari – Përmeti 114-44
Skënderbeu – Studenti 57-68
Kamza Basket – pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Apolonia 9 9 0 770-521 18
- Flamurtari 9 8 1 710-518 17
- Tirana 9 6 3 717-565 15
- Skënderbeu 9 5 4 624-589 14
- Studenti 9 5 4 564-584 14
- Elbasani 9 3 6 622-721 12
- Vllaznia 9 2 7 596-675 11
- Kamza Basket 8 2 6 459-534 10
9. Përmeti 9 0 9 436-837 9