AlbanianSport.com 08/01/2018 07:55
ASNN – Pas duelit brenda llojit në basketbollin e femrave, në ndeshjen midis SH.B.F Tirana dhe SH.K.B.F Tiranës, fituar nga kjo e fundit me shifrat 84-78, kanë folur të dy trajnerët, përkatësisht Mirza Alibegaj dhe Erdal Borova, të cilët ndanë këndvështrimin e tyre rreth lojës dhe rezultatit, por dukshëm të bashkuar në një pikë: që ky kampionat do të jetë i rivalizuar deri në fund.
Trajnerja e Shoqatës së Basketbollit të Femrave të Tiranës (SH.B.F Tirana), Mirza Alibegaj, tha pas ndeshjes se takimin e fitoi skuadra më me përvojë. “Të dyja skuadrat janë shumë të forta, – sqaron Alibegaj në prononcimin e pasndeshjes, – por në momente të caktuara nuk ishim vetvetja në lojë dhe për këtë arsye u krijua edhe diferenca në rezultat e në lojë.”
“Skuadra kundërshtare ka lojtare me përvojë që e shfrytëzuan më së miri këtë”, – ka përfunduar ish-basketbollistja e njohur. Kujtojmë që skuadra e Alibegajt ka pësuar dy humbje në 6 javë garë dhe në të dy rastet humbjen ia ka shkaktuar Tirana tjetër, ajo e trajnerit Erdal Borova.