Gjergj Vyshka 07.03.2015 15:35
Kryesueset e kampionatit të basketbollit për femra prezatojnë përforcimin e tyre të fundit. Amerikania: “Ndihem rehat në ambientin shqiptar, të gjithë më kanë pritur mirë dhe unë do t’ua shpërblej”. Aleksis Lov është basketbollistja amerikane e Apolonisë në basketboll për femra. Prezantimi i lojtares është bërë dje në mjediset e Hotel “Diplomat” në Tiranë, që së bashku me Bashkinë e Fierit, “Bankers Petrolium”, “ABKom” dhe “Tea Co SH.P.K” kanë bërë të mundur ardhjen e kësaj basketbollisteje, e cila luan në pozicionin 5 në fushën e lojës, quajtur ndryshe qendër.
Ajo është e lindur dhe rezidente në Los Anxheles dhe që nga dita e djeshme është e konfirmuar si pjesë e Apolonisë, teksa në Federatën Shqiptare të Basketbollit është bërë dhe federimi, sepse tashmë ka mbërritur dhe leja e kalimit nga Federata Botërore e Basketbollit, pas së cilës është bërë dhe licencimi i saj si lojtare pranë skuadrës fierake. Dhe ndeshja e saj e parë zyrtare si lojtare e Apolonisë do të jetë të dielën në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës përballë Tiranës.
Aktualisht Apolonia është kryesuese e kampionatit të basketbollit për femra, si dhe është fituese në fuqi e Kupës së Shqipërisë. Është skuadra me moshën më të re në kampionat, mesatarja 23.7 vjeç dhe tashmë edhe me ardhjen e amerikanes Lov kërkon të realizojë objektivin e saj kryesor, që është fitimi i titullit kampion i Shqipërisë.