Gjergj Vyshka 14.05.2016 14:35
Pikërisht një ndër lojtaret më të mira të Tiranës, Adelajda Aliaj, teksa kishin mbetur vetëm dy minuta e 51 sekonda nga përfundimi i ndeshjes dhe Goga Basket ishte në një epërsi 67-72, në një përplasje me malazezen Turçinoviç është rrëzuar dhe ulërimat e saj paralajmërojnë të keqen.
Janë të gjitha lojtaret mbi kokën e saj, por dhe masazhatori Sabahat Kastrati, ndërsa është e pamundur të qetësohet. E duke e mbajtur në krahë e kanë sjellë pranë pankinës. Por dhe aty mjeshtri Kastrati e ka pasur të vështirë për ta bërë lojtaren të paktën të ngrihet në këmbë, ndërsa është kërkuar dhe urgjenca.
E më pas po në krahë e kanë dërguar dhe pranë dhomave të zhveshjes. Ajo që duket është se Aliaj jo vetëm që ka humbur ndeshjen e kthimit të martën në Durrës, por më tej akoma ndoshta dhe të gjithë sezonit. E për Tiranën është një humbje e konsiderueshme në tentativën për t’u shpallur kampion.