Gjergj Vyshka 17.06.2016 19:00
Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB), përmes një shkrese të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm, Korab Llazani, i ka bërë ftese të gjitha klubeve të Superligës për të marrë pjesë në sezonin 2016-2017 në Ligën Ballkanike. Bëhet fjalë për Vllazninë, Teuta Basket, Kamza Basket, Tirana, Flamurtari dhe Ardhmëria, edhe sepse Shqipëria në “SIGAL Uniqa Ballkan Ligë” do të mund të marrë pjesë me dy skuadra.
Dhe për rrjedhojë përgjigja për kushtet e pjesëmarrjes në këtë Ligë Ballkanike, ndërsa ky afat duhet respektuar nga të gjithë për paraqitjen e interesit në këtë veprimtari ndërkombëtar, është 5 korrik 2016. Deri më tani, të paktën edhe sipas asaj që është paraqitur në një nga mbledhjet e fundit të Këshillit Bashkiak të Durrësit, interes ka paraqitur Teuta për të marrë pjesë në këtë Ligë Ballkanike.
Kurse Vllaznia, gjithnjë sipas asaj që ka deklaruar trajneri Bledar Gjeçaj për “Sport Ekspres” pas përfundimit të kampionatit, duhet të mbledhë bordin për të vendosur nëse do të marrë pjesë, apo jo. Për herë të fundit pjesëmarrëse në Ligën Ballkanike ka qenë Vllaznia, në sezonin 2014-2015, ndërsa qe mundur nga SIGAL Prishtina (59-85 dhe 78-88), nga Mornar (0-20 aforfe dhe 48-79), nga Universitate Krajova (72-75 dhe 45-86), si dhe nga Kozuvi (52-88 dhe 59-99).
Megjithatë teksa presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, së bashku me kompaninë “SIGAL Uniqa Group Albania” janë mbështetësit e Ligës Ballkanike, atëherë dhe Shqipëria duhet të jetë e pranishme. Ndaj klubet edhe për një rritje cilësore të tyre duhet t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Federatës Shqiptare të Basketbollit.