Gjergj Vyshka 29.01.2016 07:05
Ish-trajneri i kuqezinjve të koshit: “Nëse do të më bëhet ftesa për të drejtuar ekipin sigurisht që do të ulem të bisedoj me presidentin Ponari për të mirën e kuqezinjve. E kemi një eksperiencë të mirë.” Fatmir Cuka, është mbase trajneri që i duhet kombëtares së basketbollit për të rritur, e cila në 31 gusht deri më 17 shtator do të jetë në Eliminatoret e Kampionatit Evropian 2017.
Përballë Gjeorgjisë, Sllovakisë dhe Malit të Zi, ndërsa kuqezinjtë mungojnë prej katër vjetësh në arenën ndërkombëtare, kërkohet një tjetër nivel përgatitjeje teknike, taktike dhe psikologjike. Dhe, sipas tij, një grup lojtarësh të kombëtares shqiptare të basketbollit, por specialistë të kësaj fushe, gjatë gjithë kësaj periudhe kanë telefonuar në Amerikë, Cukën, sepse kërkojnë t’i mbushin mendjen se duhet të jetë ai përsëri në krye të kuqezinjve.
Këtë gjë e ka pranuar edhe vetë Cuka në deklaratën që ka dhënë për “Sport Ekspres”, ndonëse përpara katër vjetësh pat dhënë dorëheqjen, ndërsa nuk po plotësoheshin ato që ai kërkonte për përgatitjen e ekipit kombëtar. E megjithatë pas katër vjetësh situata është tjetër dhe Fatmir Cuka, duke njohur jo vetëm brumin që ka aktualisht kombëtarja shqiptare, por dhe situatën në të cilën ndodhet basketbolli shqiptar në të gjithë nivelin e saj, e ka një strategji zhvillimi.