Gjergj Vyshka 20.08.2017 17:40
Gentian Cici, ndërkombëtari i basketbollit shqiptar, dje ka gjykuar finalen e Divizionit A të Kampionatit Evropian të Nën-16-vjeçarëve për djem, Mali i Zi-Francë 68-75 (14-28, 20-17, 18-11, 16-19). Në këtë finale, Cici ka qenë gjyqtar i dytë, ndërsa i parë ishte spanjolli Miguel Angel Perez Niz dhe i tretë turku Jener Jëllmaz.
Shtatë ndeshje në Evropianin Nën-16-vjeçarëve për djem, 7 ndeshje në Evropianin e Nën-18-vjeçarëve për djem dhe 7 ndeshje në Evropianin e Nën-20-vjeçareve për vajza, të gjitha në Divizionin A, dhe Gentian Cici ka mbërritur në kuotën e 21 ndeshjeve të moshave.
Së bashku dhe me ndeshjen në turit paraeliminator të Botërorit, Bosnje-Hercegovinë-Armeni 98-85, shkon në 22 ndeshje në 3 muaj vere, ndërsa gati tashmë është gati për fazën finale të Evropianit të Të Rriturve, që do të zhvillohet nga data 31 gusht, deri më 17 shtator 2017.
Dhe në këtë Evropian të moshave, “bilbili” i koshit shqiptar ka gjykuar 3 herë Francën, dy herë Letoninë, Kroacinë dhe Malin e Zi, si dhe nga një herë Turqinë, Gjermaninë, Serbinë, Rusinë dhe Estoninë. Pra një gjyqtar me rritje të vazhdueshme në nivelin ndërkombëtar.